Nga BUJAR QESJA
Kthehet në vendlindjepër të përshëndetur kujtimet
Ka trokitje dere, që nuk sjellin vetëm një mik. Sjellin kohën. Sjellin kujtime. Sjellin njerëz, që kanë mbetur të gjallë në zemrën e qytetit. Pak ditë më parë, në konakun tim erdhi Gentian Dhamo, së bashku me bashkëshorten Ana. Bëmë një fotografi. Biseduam gjatë. Kujtuam njerëz, emra, ngjarje. Por, ndërsa shikoja Gentianin, mendja më shkonte vazhdimisht, tek babai i tij Petraq Dhamo.
Fizarmoniçist i rrallë, që i dha Durrësit aq shumë muzikë, aq shumë gëzime dhe aq shumë shpirt. M’u duk, sikur në atë takim, nuk ishim vetëm tre vetë. Mes nesh ishte edhe Petraqi. Me fizarmonikën në prehër. Me buzëqeshjen e ngrohtë. Me atë përulësi, që e bënte të madh.
Petraq Dhamo, njeriu që i dha zë fizarmonikës
Durrësi ka nxjerrë artistë të shumtë. Disa kanë lënë partitura. Disa këngë. Disa role. Petraq Dhamo la tingull. Një tingull, që identifikohej menjëherë. Lindi më 14 qershor 1936. U nda nga jeta më 26 shkurt 2007, pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë boshllëk të madh në jetën artistike të qytetit.
Nuk ishte diplomuar në akademi. Nuk mbante pas vetes diploma. Por kishte diplomën më të madhe, që mund të marrë një artist. Dashurinë e publikut. Ishte fizarmoniçist autodidakt, por talentin e kishte aq natyral, sa instrumenti dukej sikur ishte pjesë e trupit. Në gishtat e Petraqit, fizarmonika nuk luante. Fliste. Qante. Qeshte. Këndonte.
Jetë në shërbim të muzikës durrsake
Për shumë vite Petraq Dhamo, drejtoi orkestrën e Estradës Profesioniste të Durrësit. Ishte pjesë e programeve artistike, që mbushnin sallat me shikues. Punoi me grupet artistike të Fabrikës së Gomës. Me artistët e Uzinës së Plastikës. Pergatiti dhjetëra këngëtarë. Punoi dhe aftësoi instrumentistë. Në çdo program ndihej dora e tij.
Nuk kërkonte të binte në sy. Preferonte, që të duartrokitej arti. Në mbrëmjet muzikore të bareve dhe restoranteve të Durrësit, tingujt e fizarmonikës së Petraq Dhamos krijonin atmosferë të veçantë. Njerëzit ndaleshin. Dëgjonin. Shijonin. Sepse muzika e tij, nuk ishte thjeshtë interpretim. Ishte komunikim. Ishte dashuri.
Ata që e njohën Petraqin, nuk flasin vetëm për artistin. Flasin për njeriun. Për modestinë. Për buzëqeshjen. Për gatishmërinë për të ndihmuar. Për respektin që tregonte ndaj kujtdo. Nuk njihte mendjemadhësi. Nuk kishte cmirë. Nuk njihte rivalitet.
E donte profesionin. E donte qytetin. E donte publikun. Prandaj edhe tani emri i tij, përmendet me respekt. Sepse artistët e vërtetë, nuk jetojnë vetëm mbi skenë. Ata jetojnë së pari në kujtesën e njerëzve.
Gentiani biri që nuk harron rrënjët
Ka fëmijë që trashëgojnë pasurinë. Ka të tjerë që trashëgojnë emrin. Gentian Dhamo trashëgoi diçka shumë më të madhe. Dinjitetin. Dashurinë për punën. Respektin për njerëzit. Mallin për Durrësin. Edhe pse prej shumë vitesh jeton larg, vazhdon të jetë po ai djalë i thjeshtë, që nuk e harron vendin ku u rrit. Në çdo bisedë përmend babanë. Përmend qytetin. Përmend miqtë. Sepse njeriu nuk largohet kurrë nga vendlindja. Largohet vetëm trupi. Shpirti mbetet aty.
Në vitin 1991, si mijëra shqiptarë edhe Gentiani, mori rrugën e emigrimit drejt Italisë. Nuk ishte udhëtim luksi. Ishte udhëtim mbijetese. Punoi. Sakrifikoi. Mësoi. U përball me vështirësitë. Në vitin 2005 u kthye në Durrës. Arsyeja ishte më e fortë se çdo kontratë pune. Babai, Petraq Dhamo ishte i sëmurë. Asgjë nuk mund ta zëvendësonte detyrimin moral të një djali, për të qenë pranë të atit në ditët më të vështira.
Për disa kohë punoi në piano-barin pranë ish-restorantit “Zeusi”, në zonën e Vollgës, aty ku kishte nisur edhe bashkëpunimin me të atin. Ato vite ishin vite emocionesh. Nga njëra anë, gëzimi që ishte pranë familjes. Nga ana tjetër, dhimbja që shihte shëndetin e Petraqit të përkeqësohej. Më 26 shkurt 2007, Petraq Dhamo u largua përgjithmonë. Por jo nga zemra e Gentianit.
Kuzhinieri që fitoi respektin e të gjithëve
Pas ndarjes nga jeta të babait, Gentiani vazhdoi të punojë me përkushtim. Kristo Sotiri, biri i intelektualëve të nderuar Salvator dhe Vasilika Sotiri, i besoi drejtimin e kuzhinës në restorantin e familjes “Vila Lule”, në sektorin “Iliria” në Plazhin e Durrësit.
Restoranti u bë shumë shpejtë, nga adresat e pëlqyera të pushuesve. Asortimenti i pasur. Shija. Pastërtia. Cilësia. Të gjitha mbanin vulën e një kuzhinieri, që nuk pranonte kompromis me profesionin. Por jeta kishte plane të tjera. Gentiani e kuptoi, se e ardhmja e familjes kërkonte tjetër horizont.
Vendosi të rikthehej sërish në Itali.
Qyteti ku puna flet shqip
Që prej vitit 2016, Gentiani jeton dhe punon në Venecia. Aty nuk kërkoi privilegje. Kërkoi vetëm mundësinë, për të treguar çfarë dinte të bënte. Dhe ia doli. Sot është kuzhinier i respektuar. Shqiptarët e çmojnë si bashkëkombës. Italianët e vlerësojnë si profesionist. Emri i tij lidhet me cilësinë. Me korrektësinë. Me seriozitetin.
Në çdo pjatë që përgatit, ka diçka nga edukata që mori në familje. Nga kultura e punës që i mësoi babai. Nga fisnikëria që nuk blihet me para. Në krah të Gentianit është Ana. Një vajzë nga Panaja e Vlorës. E diplomuar për asistente në mjekësi. Edhe ajo ka ndërtuar me ndershmëri rrugën profesionale, duke punuar në një spital privat.
Familja e tyre është shembulli, i asaj që mund të arrijnë njerëzit kur mbështeten tek puna, arsimi dhe sakrifica. Djali, Redi, pasi përfundoi studimet për inxhinieri elektrike, nisi punën në një kompani ndërkombëtare. Vajza, Sara, vazhdon studimet për drejtësi ndërkombëtare. Prindërit mund të mos kenë pasur rrugë të lehta. Por kanë ditur t’u japin fëmijëve, pasurinë më të madhe. Arsimin. Kulturën. Krenarinë.
Në zemër të Venecias, aty ku tradita takohet me mjeshtërinë
Suksesi i Gentian Dhamos, nuk është rastësi. Është fryt i një pune të gjatë, i disiplinës dhe i pasionit, që e shoqëron prej vitesh. Tani mban detyrën e shefit të kuzhinës në restorantin e njohur “La Plazza”, nga adresat më të vlerësuara gastronomike të Venecias.
Restoranti ndodhet, brenda mureve të vjetra historike të qytetit dhe mbart një traditë që nis që në vitin 1898, duke qenë dëshmitar i më shumë se një shekulli historie, kulture dhe mikpritjeje veneciane.
Nuk është e lehtë që një shqiptar, një durrsak, të fitojë besimin për të drejtuar kuzhinën e një institucioni të tillë gastronomik. Kjo arrihet vetëm me profesionalizëm të lartë, korrektësi, kulturë pune dhe aftësi krijuese. Gentiani nuk përfaqëson aty vetëm veten dhe familjen e tij, por edhe emrin e mirë të shqiptarëve dhe të Durrësit.
Ndoshta, po ta shihte i jati, Petraq Dhamo, do të buzëqeshte me atë qetësinë që e shoqëronte. Do të kuptonte se djali i tij, ashtu si dikur ai me fizarmonikën, po fiton duartrokitjet e publikut në një skenë tjetër. Petraq Dhamo ishte dirigjent i një orkestre muzikore, ndërsa Gentian Dhamo është dirigjent i një orkestre shijesh.
Dikur Petraqi emociononte njerëzit me tingujt e fizarmonikës, e tani Gentiani i emocionon me artin e kuzhinës. Janë dy profesione të ndryshme, por i bashkon i njëjti shpirt krijues, e njëjta dashuri për punën dhe e njëjta dëshirë për të bërë njerëzit të ndihen mirë.
Fotografi që flet më shumë se mijëra fjalë
Kur u ngritëm për fotografinë e kujtimit, pashë në fytyrën e Gentianit diçka të njohur. Të njëjtën qetësi. Të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtën mirësjellje që mbante Petraq Dhamo. Në ato çaste kuptova, se ka njerëz që nuk largohen kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë tek fëmijët. Tek nipërit. Tek kujtimet. Tek emri që kanë lënë pas. Dhe Petraqi e meriton këtë.
Artistët largohen, por tingujt e tyre nuk plaken
Koha është e pamëshirshme. Ajo rrudhos fytyrat. Zbeh fotografitë. Mbyll skenat. Fik dritat. Por nuk arrin të shuajë atë, që një njeri ka mbjellë me zemër. Petraq Dhamo, mbetet prej atyre artistëve, që nuk kanë nevojë për monumente prej guri. Monumenti i tij, është kujtesa e qytetit, është respekti i brezave, është muzika që vazhdon të jehojë, në mendjen e atyre që e dëgjuan dikur.
Ndërsa Gentian Dhamo, është vazhdimi më i bukur i kësaj trashëgimie. Edhe pse nuk zgjodhi skenën e muzikës, por një skenë tjetër, atë të jetës, ku çdo ditë fiton respektin me punë, ndershmëri dhe përkushtim. Mban mbi supe, jo vetëm emrin e familjes, por edhe një copëz të shpirtit të Durrësit.
Kjo është fitorja më e madhe e një prindi, të lërë pas jo vetëm kujtime, por njerëz që e nderojnë emrin e tij me jetën që bëjnë. Dhe Petraq Dhamo e ka fituar këtë gjithkohshmërinë.
Sa herë që Gentiani kthehet në Durrës, nuk vjen vetëm një kuzhinier i suksesshëm nga Venecia. Kthehet djali i Petraq Dhamos. Kthehet një bir, që i përkulet me mall vendlindjes, kujtimeve dhe babait të tij.
E kjo është një muzikë, që nuk pushon kurrë.
Durrës: 16 korrik 2026







