Muzeu Etnografik i Durrësit hapi dyert pasditen e së mërkurës për leximin skenik të dramës “Palltoja” të autorit durrsak Ilir Paja.

Pas eksperiencave të mëparshme letrare, kryesisht në vëllimet me poezi, Paja erdhi këtë herë me veprën dramatike që rrëfen historinë e dy miqve, Xhaketës dhe Palltos, marrëdhënia e të cilëve vihet në provë nga një pallto e re. Ajo që nis si një gjest i thjeshtë mes miqsh, shndërrohet në një përballje me xhelozinë, pasigurinë, krenarinë dhe etjen për status.

Nisma e teatrit “Aleksandër Moisiu” për ta prezantuar një vepër dramaturgjike përmes një leximi publik është një format që vendos në qendër të vëmendjes tekstin dhe fjalën e shkruar.

E ideuar për t’u realizuar në oborrin e shtëpisë muze të Aleksandër Moisiut, ku distanca mes aktorëve Xhejni Fama, Jaho Guma dhe Alesia Xhemalaj dhe publikut të pransihëm ishte mjaft e ngushtë, vepra arriti ta përcillte më së miri mesazhin e saj.

I njohur mes artdashësve dursakë si poet, prozator, dramaturg dhe profesor i letërsisë, me një sërë çmimesh në konkurse ndërkombëtarë të poezisë, Ilir Paja arriti të përçojë tek publiku përmes dramës “Palltoja” mesazhin se ambicia mund të cënojë edhe miqësitë e konsoliduara.

M.B.