Gjykata e Durrësit vendosi sot masat e sigurisë “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, dhe “arrest në shtëpi” për 2 vartëset e saj, shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana.
Prokurori i çështjes Gazmend Frëngu ka deklaruar gjatë seancës se ish-drejtoresha e Postës dhe bashkëshorti i saj frekuentonin kazinotë, gjë që nuk është mohuar nga Mataj. Ajo është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në ambiente të tilla.
Ndërkohë ish-shefja e Financës ka pohuar se ia ka dhënë në zyrën e saj paratë eprores së saj, Elisabeta Mataj.
Ish-drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja e filialit të Postës Shqiptare, Durrës, u arrestuan tre ditë më parë, pas denoncimit dhe hetimeve që nisën për abuzim me miliona lekë me fondet e institucionit, pasi nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Ato akuzohen nga Prokuroria për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Pas tre orësh nga nisja e seancës, gjyqtari Xhevdet Lika vendosi Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe vendosi:
VENDIMI
- Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
- Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.
- Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
- Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.
- Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026





