Në lidhje me pretendimet e publikuara së fundmi në media se në Shëtitoren “Taulantia” shkarkohen ujëra të ndotura në det, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sqaron se këto pretendime nuk pasqyrojnë gjendjen reale.
Tubacioni për të cilin është bërë referencë nuk është pjesë e sistemit të ujërave të ndotura, por i përket sistemit të kullimit të ujërave atmosferike (ujërave të shiut). Nëpërmjet këtij tubacioni nuk kalojnë ujëra të ndotura.
Gjithashtu, për të eliminuar plotësisht edhe shkarkimin e ujërave atmosferike nga kjo pikë, rreth një muaj më parë SHRUK Durrës ka realizuar instalimin e një porte metalike (pneumatike), investim i cili ka bërë të mundur ndërprerjen e çdo rrjedhjeje të mundshme nga stacioni përkatës.
Pas vendosjes së këtij mekanizmi dhe monitorimit të vazhdueshëm të sistemit, nuk është konstatuar asnjë rrjedhje ujërash nga stacioni i pompimit në fjalë.
Publikimi i informacioneve të pavërtetuara ose të paverifikuara krijon keqinformim dhe shqetësim të panevojshëm tek qytetarët, si edhe cenon imazhin e qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës mbetet e angazhuar në monitorimin e vazhdueshëm të infrastrukturës, ndërhyrjen e menjëhershme në çdo rast që paraqet nevojë dhe garantimin e funksionimit normal të sistemit, në mbrojtje të shëndetit publik dhe mjedisit.





