Policia Bashkiake Durrës ka prezantuar sot përmes një deklarate për mediat një analizë të hollësishme të punës së saj në 3 muajt e fundit.

Drejtori i kësaj policie, Flamur Gjuzi, evidentoi disa nga problematikat më të ndjeshme me të cilët përballen çdo ditë në terren efektivët, duke nisur nga ndërtimet pa leje në zona të ndryshme të territorit, ndotja e mjedisit, administrimi i plazheve publike dhe atyre të refuzuara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, parkimi i mjeteve në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor etj.

“Vëmendja kryesore e Policisë Bashkiake ka vijuar të përqendrohet në disiplinimin e qarkullimit rrugor dhe respektimin e rregullave të parkimit. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren, janë vendosur 11.777 masa administrative për shkelje të legjislacionit në fushën e qarkullimit rrugor, të lidhura kryesisht me parkimet në kundërshtim me sinjalistikën, zënien e korsive të dedikuara, trotuareve dhe vendeve të rezervuara për transportin publik

Në fushën e ushtrimit të aktivitetit tregtar, janë vendosur 9 masa administrative ndaj personave që ushtronin veprimtari si tregtarë ambulantë pa autorizimin përkatës të lëshuar nga organet kompetente.

Për shkelje që lidhen me zënien e paligjshme të hapësirës publike, janë vendosur 309 masa administrative, kryesisht ndaj subjekteve që kishin zënë trotuare dhe ambiente publike me tavolina, karrige, konikë, kupola betoni dhe mjete të tjera, duke cenuar përdorimin normal të këtyre hapësirave nga qytetarët.

Gjatë periudhës raportuese, nga Policia Bashkiake janë referuar pranë IMTV-së dhe Policisë së Shtetit 19 raste të ndërtimeve pa leje. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, për 2 prej këtyre rasteve janë vendosur masa administrative ndaj subjekteve përgjegjëse“,- tha gjatë fjalës së tij drejtori Gjuzi.

Gjatë kësaj periudhe 3 mujore, një rëndësi e veçantë i është kushtuar telefonatave të administruara nga Salla e Informacionit, si dhe 511 ankesave të bëra, përmes aplikacionit “Hapësira Ime Publike”, nga të cilat 486 kanë marrë zgjidhje.

Në këtë periudhë që Durrësi përballet përgjatë vijës bregdetare me flukse të larta turistike, monitorimi i plazheve është në fokus së punës së Policisë Bashkiake.

Në zbatim të Urdhrit të Prefektit nr. 57, datë 08.06.2026, u realizuan këto masa:

Lirimi i 15 parcelave të plazheve publike, të cilat ishin zënë në mënyrë të paligjshme nga banorë ose subjekte private, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlloneve stacionare të fiksuara me zinxhirë.

Vendosja e 2 masave administrative me gjobë ndaj subjekteve që nuk ishin pajisur me kullë vrojtimi dhe nuk kishin angazhuar vrojtues plazhi, në kundërshtim me detyrimet ligjore.

Vendosja e 4 masave administrative me gjobë ndaj subjekteve që nuk kishin respektuar detyrimin për vendosjen e perimetrit të sigurisë me bova, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve.“,- tha drejtori Gjuzi.

Një nga fenomenet më të shpeshta gjatë sezonit turistik veror mbetet humbja e fëmijëve përgjatë vijës bregdetare dhe referuar statistikave regjistrohen 3–4 raste në ditë për të cilat Policia Bashkiake dhe ajo e Shtetit kanë bashkëpunuar për të rikthyer të miturit pranë familjes.

M.B.