Ditën e shtunë të javës së kaluar, gjyqtari Xhevdet Lika vendosi të lërë në masën e sigurisë “Arrest në burg” ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj dhe në “Arrest shtëpie” ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren P.Dana, të cilat akuzohen për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.

Ish-drejtoresha Mataj dhe dy vartëset e saj akuzohen për vjedhjen e shumës 69 milionë lekë, fonde këto të destinuara për pensionet dhe ndihmën ekonomike në degët Shijak dhe Krujë.

Një ditë më parë, pranë Policisë Gjyqësore, bashkëshorti i Elisabetës, Feta Mataj ka akuzuar ish-vartësen e gruas së tij si personin që ka përfituar paratë duke e lidhur këtë me atë që ai e pretendon si rritje e konsiderueshme ekonomike e shtetases Duni dhe djalit dhe vajzës së saj.

Mataj na ka vënë një dispozicion një sekuencë video nga kamerat e sigurisë, e cila sipas tij ishte pikënisja e dyshimeve të bashkëshortes së tij ndaj shefes së financës, ku sipas tij kjo e fundit shfaqet në korridorin e postës me thes në dorë dhe kur sheh Elisabetën tenton të kthehet mbrapsht dhe të futet në zyrë.

Kujtojmë se në Prokurorinë e Durrësit kanë depozituar padi kundër njëra – tjetrës edhe Elisabeta Mataj, edhe Valbona Duni.

Në padinë e saj, Mataj shprehet ndër të tjera:

“Unë kallzuesja ushtroj detyrën e Drejtoreshës së Postës të Filialit Durrës, detyrë në të cilën jam emëruar në fund të muajit tetor të vitit 2025 dhe kam nisur punën de facto në fillim të muajit nëntor të vitit 2025. Duke qenë në detyrë e re më është dashur t’i jap pak kohë vetes dhe stafit, lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të punës. Gjatë muajit shkurt 2026 kam konstatuar lëvizje të personave të paautorizuar (as me autorizim titullari, as për shkak të funksionit) në arkën e postës, si dhe qarkullim i mjeteve monetare me thasë nëpër korridore. Në këto kushte, duke qenë se nuk ekzistonte një urdhër i brendshëm i mëparshëm, më datë 26.02.2026 me Urdhrin nr.10, protokolluar me nr.87, kam urdhëruar që: Të gjitha faturat që printohen dhe që dalin nga arka do të siglohen nga Specialisti i Sigurisë së Cilësisë dhe Standarteve, si dhe çdo hyrje – dalje e vlerave monetare në Arkën e Filialit dhe Dhomën e Sigurisë do të bëhen nën monitorimin e Specialistit të Sigurisë.

Gjithashtu, më datë 02.03.2026 kam nxjerrë urdhrin e brendshëm me nr.11, protokolluar me nr.92 prot. të po të njëjtës datë, ku kam urdhëruar që asnjë person i paautorizuar të mos hyjë në arkë.”

Sipas shtetasit Feta Mataj, video që na ka vënë në dispozicion, e cila mban datën 14 janar 2026, është pikënisja e gjithë dyshimeve të saj dhe më pas e korrespondencës institucionale, që bashkëshortja e tij ka nisur me drejtorinë qendrore lidhur me lëvizjet e personave të paautorizuar në arkë.

M.B.