Spitali Rajonal i Durrësit reagoi më herët duke përgënjeshtruar lajmin e publikuar nga portali JOQ, sipas të cilit një pacient i trajtuar në këtë spital kishte ndërruar jetë, duke sqaruar se informacioni nuk ishte i vërtetë dhe se ai ishte gjallë.

Pacienti ishte paraqitur sërish në Shërbimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës, ku u mor menjëherë nën kujdesin e personelit mjekësor.

Në një intervistë për mediat pak më parë kirurgu Dr. Naim Mediu, bën me dije se bëhet fjalë për Artan Andonin, 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në repartin e Terapisë Intensive (Reanimacion), në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas kirurgut, ndërhyrja e dytë kirurgjikale ka përfunduar me sukses dhe pacienti po monitorohet nga stafi mjekësor. Ai thekson se, bazuar në ecurinë aktuale, nuk pritet të ketë komplikacione pas operacionit.

Mësohet se ndërhyrja e parë është kryer më 29 qershor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku pacienti iu nënshtrua një operacioni në enët e gjakut. Ndërsa ndërhyrja e dytë është realizuar në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Sipas mjekut, pacienti është mbartës i virusit HIV, por nuk është transmetues, fakt që nuk ka ndikuar në kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale.

Dyshohet se 52-vjeçari mund të kishte konsumuar heroinë përpara se të rikthehej në spital për ndërhyrjen e dytë. Megjithatë, pavarësisht kësaj rrethane, operacioni është kryer me sukses dhe gjendja e tij paraqitet e stabilizuar.