Mbrëmja e fundit e korrikut solli në shëtitoren “Taulantia” emocione të forta dhe të veçanta.

Performanca teatrore e mbështetur në librin poetik “Hartë memece për të mbyturit”, e autorit durrsak Arian Leka, solli për artdashësit dhe publikun e pranishëm shumëçka nga momentet më të dhimbshme të eksodeve detare, ëndrrat dhe shpresat e atyre që u nisën drejt perëndimit, por deti i trazuar nuk i kurseu, por u mori jetën.

Për autorin Leka, libri i të cilit është përkthyer në 12 gjuhë, kujtesa ka nevojë të rikthehet në vendin ku nisi, në Durrës dhe buzë detit.

Emigrimet nga Shqipëria vijojnë edhe sot, pavarësisht se jo në përmasat tragjike të viteve më parë, kur deti mbulonte me heshtje dhe dallgë të mbyturit dhe hapte plagë që s’do të mbylleshin kurrë tek familjarët e tyre në Shqipëri.

Realizimi i kësaj performance që ndërthurte në një të vetme prozën, poezinë, por edhe letërsinë dokumentare ishte një sfidë më vete për regjisoren Driada Dervishi, për më tepër që pjesa më e madhe e kastit përbëhej nga intelektualë e gazetarë dhe shumë pak aktorë profesionistë.

Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, kjo performacë teatrore buzë detit Adriatik  e realizuar falë bashkëpunimit të Bibliotekës Publike Durrës dhe klubit të librit “Gjergj Vlashi” ishte një kujtesë për ata që deti i mbuloi me heshtje, por jo me harresë.

M.B.