Dega e Partisë Demokratike në Durrës ka reaguar në rrjete sociale lidhur me një shqetësim të vazhdueshëm të qytetarëve, hedhja pa kriter e fishekzjarreve sapo akrepat e orës regjistrojnë mesnatë.
“Shteti në gjumë, qytetarët e Durrësit pa gjumë”,- nis postimi i degës lokale.
Ndërsa postimin e saj e shoqëron edhe me video, PD shkruan se “Ky është një shqetësim serioz, që nxjerr në pah mosfunksionimin e institucioneve shtetërore dhe mungesën e rendit e të qetësisë publike në komunitet”.
PD kërkon nga institucionet përgjegjëse marrjen e përgjegjësive për një zgjidhje konkrete për këtë situatë që përsëritet çdo natë, si dhe identifikimin e personave përgjegjës që merren me tregtimin e fishekzjarreve, për të cilët, në dhjetor 2018, tre ministri nxorrën një urdhër të përbashkët dhe vendosën kufizime të forta për tregtimin e mjeteve piroteknike.
“Durrësi është qytet i banuar, jo një hapësirë ku çdo person mund të bëjë çfarë të dojë në mesnatë, pa u shqetësuar për të tjeret.”– e mbyll postimin e saj PD Durrës.
Postimi i plotë:
SHTETI NË GJUMË, QYTETARËT E DURRËSIT PA GJUMË
Prej disa kohësh, banorët e Durrësit po përballen me një shqetësim të përsëritur: hedhjen e fishekzjarreve në mesnatë, në zona të banuara, duke shkaktuar shqetësim të vazhdueshëm për fëmijët, të moshuarit, punëtorët që ngrihen herët në mëngjes dhe kafshët.
Së fundmi, banorë të Lagjes 17, pranë zonës së Burgut në Durrës, kanë denoncuar këtë problem edhe përmes pamjeve filmike, ku dokumentohen shpërthime fishekzjarresh në mesnatë, në një orë kur qytetarët duhet të kenë të drejtën të pushojnë në qetësi.
Një ngjarje që përsëritet çdo natë, në orën 24:00.
Ky është një shqetësim serioz, që nxjerr në pah mosfunksionimin e institucioneve shtetërore dhe mungesën e rendit e të qetësisë publike në komunitet.
Në dhjetor 2018 u miratua Urdhri i përbashkët nr. 661, datë 13.12.2018, i tre ministrive, i cili vendosi kufizime të forta për hedhjen në treg dhe përdorimin civil të kategorive të caktuara të artikujve piroteknikë dhe fishekzjarrëve.
Ndërkohë, kuadri ligjor për ndotjen akustike parashikon masa ndaj zhurmave që tejkalojnë nivelet e lejuara, ndërsa vetë institucionet shtetërore kanë pranuar publikisht se hedhja e fishekzjarreve në mesnatë përbën një problem dhe se nevojiten kontrolle dhe zbatim i rregullave.
Pyetja që shtrohet natyrshëm është: Kush po e kontrollon këtë situatë në Durrës?
Qytetarët kanë nevojë vetëm për zbatimin e ligjit.
Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse:
• të identifikojnë personat apo subjektet që përdorin fishekzjarre në mënyrë të paligjshme;
• të kontrollojnë subjektet që tregtojnë artikuj piroteknikë;
• të verifikojnë respektimin e rregullave për ndotjen akustike në zonat e banuara;
• të marrin masat administrative që parashikohen nga legjislacioni kur konstatohet shkelje;
• të reagojnë ndaj denoncimeve të banorëve dhe të mos lejojnë që një shqetësim i përsëritur të normalizohet.
Durrësi është qytet i banuar, jo një hapësirë ku çdo person mund të bëjë çfarë të dojë në mesnatë, pa u shqetësuar për të tjeret.





