Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar qeverinë izraelite se po përpiqet ta largojë çështjen palestineze nga vëmendja ndërkombëtare. Gjatë një takimi në Ankara me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, Erdogan tha se Izraeli po përfiton nga konfliktet dhe kaosi në rajon për të dobësuar çështjen palestineze.

Mediat e huaja raportojnë se në fjalën e tij ai theksoi që Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Palestinën dhe se përpjekjet për ta zhdukur çështjen palestineze nga axhenda globale nuk do të kenë sukses. Nga ana e tij, Mahmoud Abbas tha se një paqe e drejtë mund të arrihet vetëm me përfundimin e pushtimit dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Ai gjithashtu mbështeti përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës dhe për të rikthyer autoritetin palestinez në Gaza.