Njëmbëdhjetë vjet pas zhdukjes së 22-vjeçares gjermane Michelle, rasti i saj i pazgjidhur po rikthehet në vëmendje pas zbulimit të provave të reja në dosjet e Jeffrey Epstein.

Michelle u largua nga shtëpia e nënës së saj në shtator të vitit 2015, duke marrë me vete një valixhe dhe pasaportën. Familja e saj nuk u shqetësua menjëherë, pasi e reja udhëtonte shpesh jashtë vendit, ndërsa ëndrra e saj ishte të bëhej modele. Megjithatë, ajo nuk u kthye më në shtëpi.

Rasti u rikthye në qendër të vëmendjes pas një hetimi të përbashkët të rrjetit gjerman ZDF, revistës Der Spiegel dhe grupit investigativ Paper Trail Media. Gazetarët shqyrtuan miliona dokumente të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe zbuluan të dhëna të reja për javët dhe vitet para zhdukjes së Michelle.

Në qendër të zbulimeve është Daniel Siad, një shtetas suedez me origjinë algjeriane dhe menaxher modelesh, i cili kishte pasur kontakte me Michelle disa vite përpara zhdukjes së saj.

Të dy u takuan në vitin 2012 në Dubai, ku Michelle punonte si kamariere. Siad iu prezantua si menaxher modelesh dhe e reja e pa këtë si një mundësi për të ndjekur karrierën në industrinë e modës.

Në vitet që pasuan, Michelle realizoi sete fotografike, mori pjesë në aktivitete modelimi dhe udhëtoi në vende të ndryshme, përfshirë Kinën, Britaninë dhe Amerikën e Jugut.

Sipas hetimit, Siad i kishte dërguar Jeffrey Epstein fotografi të Michelle dhe kishte diskutuar me të mundësinë për t’i siguruar asaj një biletë avioni.

Në një mesazh të vitit 2014, kur Michelle ishte 21 vjeç, Siad dyshohet se e përshkroi atë si një “person të mrekullueshëm” dhe i shkroi Epstein: “Do ta duash”.

Megjithatë, deri tani nuk ka prova që Michelle e ka takuar ndonjëherë Epsteinin apo se e dinte që fotografitë e saj i ishin dërguar financierit amerikan. Gjithashtu, nuk është gjetur ndonjë provë që e lidh drejtpërdrejt Siadin me zhdukjen e saj.

Sipas hetimit të ZDF, emri i Daniel Siad shfaqet rreth 1,840 herë në email-e, mesazhe dhe të dhëna telefonike të përfshira në dosjet e Epstein.

Kontaktet mes Siad dhe Epstein dyshohet se kishin nisur të paktën në vitin 2009.

Një nga dokumentet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një email i vitit 2014, në të cilin Siad e krahasonte aktivitetin e tij me atë të një “peshkatari”, duke thënë se herë pas here arrinte të gjente “peshk” të mirë, ndërsa në raste të tjera jo.

Në të njëjtin komunikim, sipas hetimit, ai përmendte vajza të reja nga Skandinavia, përfshirë të mitura 16 dhe 17 vjeç, si dhe një vajzë 15-vjeçare nga Franca.

Pavarësisht zbulimeve të reja, fati i Michelle mbetet ende i panjohur dhe zhdukja e saj nuk është zgjidhur.

Daniel Siad, një prej personave në qendër të hetimeve të reja dhe një figurë që mund të kishte dhënë informacion mbi periudhën para zhdukjes së 22-vjeçares, u gjet i vdekur më 20 korrik 2026 në shtëpinë e tij në Paris. Ai ishte 69 vjeç.

Vdekja e tij e lë ende pa përgjigje pyetjen se çfarë ndodhi me Michelle pas largimit të saj nga shtëpia në vitin 2015.