Ministrat e kabinetit qeveritar e 12 drejtuesit politikë të qarqeve, janë thërritur sot në mbledhje nga kryeministri Edi Rama. Fillimisht takimi u raportua se do të zhvillohet në selinë rozë, por më pas u sqarua se do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe pritet të nisë në orën 18:00.
Kryesocialisti pritet të japë udhëzimet për takimet që duhet të nisin drejtuesit politik në zonat e tyre elektorale, për të shpjeguar dokumentet strategjike të mazhorancës qeverisëse, ‘Besën’, ‘Praninë Besnike’.
Përveç ditës së djeshme që Rama mblodhi ministrat, takime 2 ditore janë zhvilluar në Pogradec më 23 dhe 24 gusht. Në dy ditë, kreu i qeverisë, u la porosi ‘të vetëve’ të jenë sa më afër qytetarëve dhe të angazhohen maksimalisht për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve te tyre.
Nga Pogradeci Rama prezantoi dhe ‘Pasqyrë Albania’, një hapësirë dixhitale ku do të grumbullohen problematikat e qytetarëve dhe nga ku do të ndiqen nga qeveria. Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë ankesat dhe shqetësimet, dhe “Radar”, që do të gjurmojë rrugën e trajtimit të tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Në shtator pritet fillimi i sezonit të ri politik. Pas një pushimi të shkurtër veror, Partia Socialiste është vënë e para në lëvizje. Rama i ka bërë të qarta porositë si dhe piketat për pjesën tjetër të mandatit.
Ndërkohë në kampin demokrat, Sali Berisha organizoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar nga ku paralajmëroi ndryshime brenda në parti. Ai e vuri theksin te ripërtëritja si kushti kryesor për të rifituar besimin e qytetarëve.





