Një krim makabër ka ndodhur mesditën e së enjtes në Graz të Austrisë, ku një 24-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me partnerin e saj. Bëhet me dije se viktima është identifikuar si Abigel Laçi, me origjinë nga Vlora. E reja dyshohet se është vrarë pasi është goditur me çekiç dhe autor i vrasjes dyshohet të jetë vëllai i partnerit të saj.
Sipas mediave të huaja, policia është njoftuar rreth orës 12:40 dhe pas mbërritjes në banesë, ka gjetur 24-vjeçaren pa shenja jete. Autoritetet bëjnë me dije se ajo ka humbur jetën në vend, si pasojë e plagëve të marra. Në vijim të ngjarjes, policia ka arrestuar në shkallët e pallatit një 23-vjeçar, i cili, sipas dëshmitarëve, ishte i mbuluar me gjak.
Fillimisht autoritetet thanë se i riu kishte lidhje familjare me viktimën. Më pas u bë e ditur se bëhej fjalë për vëllain e partnerit të Abigel Laçit. Nga të dhënat paraprake të hetimit dyshohet se 23-vjeçari ka shkuar i vetëm në apartament dhe ka hyrë me forcë. Në atë moment, Abigel ndodhej e vetme në banesë, pasi partneri i saj nuk ishte aty.
Hetuesit dyshojnë se çekiçi është përdorur si mjet në kryerjen e krimit. Për shkak të hetimit në vijim, autoritetet nuk kanë bërë publike të gjitha detajet e ngjarjes. I dyshuari ka zgjedhur të heshtë gjatë marrjes në pyetje dhe nuk ka dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen apo motivin e mundshëm. Ai po hetohet për dyshimin e vrasjes. Ndërkohë, është kryer autopsia e trupit të 24-vjeçares, ndërsa hetimet vijojnë nga specialistët të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e ngjarjes.





