Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përplasur 5 mjete, dhe si pasojë ka humbur jetën një 45-vjeçar.
Policia e Durrësit në informacionin e saj paraprak, raporton se aksidenti u regjistrua rreth orës 05:20, në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë në një aksident rrugor 5 automjete.
Shtetasi H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje.
Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre mjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, si dhe 5 pasagjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa shtetasja A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja dhe është shoqëruar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.





