Alban Xhelili ka reaguar në rrjetet sociale, pas prezantimit zyrtar në detyrën e Drejtorit të Filialit të Postës Shqiptare Durrës, nga Drejtori i Përgjithshëm, Etjen Xhafaj.
Xhelili shprehet se “e nis këtë përgjegjësi me përkushtim, me besimin se Posta e Durrësit mund dhe duhet të jetë një institucion edhe më efikas, transparent dhe pranë qytetarëve”.
“Së bashku me stafin do të punojmë për të përmirësuar shërbimin, për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një standard të ri pune, me korrektësi dhe përgjegjshmëri.
Një detyrë e re, një përgjegjësi e re, por mbi të gjitha një sfidë që e marr me shumë seriozitet.
Me punë, përkushtim dhe përgjegjësi“, shkruan Xhelili.
Me profesion ekspert kontabël i miratuar, Xhelili vihet në drejtimin e Postës në një moment, kur institucioni që ofron një gamë të madhe shërbimesh përballet me vështirësi përsa i përket likujditeteve për shpërndarjen e pensioneve, ndihmës ekonomike etj.
Nuk kanë qenë të pakta rastet gjatë muajve të fundit, kur pensionistët janë detyruar të presin disa orë ose të shkojnë disa ditë me radhë pranë filialeve të Postës në Durrës për të tërhequr pensionet.
Në muajin korrik, filiali i Postës së Durrësit u përfshi nga një skandal financiar për të cilin u akuzuan drejtoresha Elizabeta Mataj, shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana.
Hetimet për zbardhjen e përgjegjësisë për këtë skandal vijojnë, ndërkohë që ish-drejtoresha Mataj është në burg, ndërsa për dy punonjëset e tjera të Postës gjykatat kanë dhënë masë më të lehtë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Lajm i lidhur:





