Një ditë më parë, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi disa ndryshime që lidhen me vendimin e marrë dy vite më parë për parkimet me pagesë në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.

Qyteti bregdetar është ndarë në dy zona administrimi A dhe B, sipas planvendosjes së hartuar nga bashkia, në të cilat tarifa e parkimit është 100 lekë dhe 40 lekë ora.

Në qytet ka përfunduar tashmë vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale në të gjitha rrugët e përcaktuara për parkimin me pagesë, ndërkohë që pritet që së shpejti të nisë testimi i sistemit dhe njëkohësisht shpërndarja e kartave të rezidentit.

Bashkia ka realizuar 3 modele kartash, të cilat janë në tre ngjyra të ndryshme dhe përmbajnë të dhënat personale të aplikuesit, zonën e administrimit ku ai banon, si dhe periudhën e vlefshmërisë.

Vërtetimin për rezidentët në ngjyrën e kuqe dhe jeshile do ta përdorin qytetarët për të parkuar automjetin e tyre në hapësirat publike pa pagesë të lagjes ku banojnë, si hapësira mes pallateve, rrugë dytësore etj.

Ndërsa me Vërtetimin e Abonimit për Rezidentët, do të pajisen të gjithë qytetarët, që do të parkojnë automjetin e tyre në vendparkimet me pagesë të lagjes së tyre.

Siç shpjegoi një ditë më parë edhe kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, qytetarët do të aplikojnë për pajisjen me kartën e rezidentit, pranë njësive administrative, duke paraqitur certifikatën e pronësisë së shtëpisë së banimit, kontratën e qirasë si dhe çdo dokumentacion tjetër, që vërteton pronësinë e banimit.

Deri më tani, bashkia nuk ka dalë me deklaratë zyrtare, se kur do të nisë të zbatohet parkimi me pagesë.

Kryebashkiakja sqaroi se institucioni i qeverisjes vendore do të japë në vijim të gjitha detajimet specifike për të qartësuar qytetarët lidhur me mënyrën e pagesës dhe metodikën e të gjithë procesit.

Në ndryshimet e miratuara një ditë më parë në Këshillin Bashkiak, krahas rrugëve të destinuara për parkimin me pagesë, bashkia ka përcaktuar edhe lagjet respektive, nëpër të cilat kalojnë këto rrugë. Sipas bashkisë, zonat që do të jenë të destinuara për rezidentët, nga të cilat deri më tani janë identifikuar 54 hapësira publike në zonën A dhe 39 hapësira publike në zonën B do të pajisen me sinjalistikën përkatëse.

Projektvendimi i miratuar një ditë më parë kaloi me 29 vota pro dhe 7 kundër të opozitës, e cila deklaroi përmes kreut të grupit Ardian Muka edhe arsyen e këtij vendimi, duke nënvizuar se bashkia nuk është ende gati për këtë projekt.

Në të njëjtën linjë u shpreh disa orë më vonë edhe kreu i degës lokale të PD, Adrian Gashi, që përmes një postimi në rrjete sociale deklaroi:

“Durrësi ka nevojë për rregull në parkim, por jo që hapësira publike të kthehet në një burim të ri të ardhurash pa u përmirësuar më parë shërbimi. Votuam kundër në vitin 2024 dhe votuam kundër edhe sot. Jo kundër rregullit në parkim, por kundër një skeme ku qytetari paguan sot, ndërsa vendet e parkimit dhe shërbimi i premtohen për nesër. Pas dy vitesh, Bashkia duhej të sillte vende të reja parkimi dhe një sistem funksional, jo tarifa të gatshme dhe zgjidhje që vazhdojnë të mbeten në letër”.

Në mbledhjen e KB-së, kryebashkiakja Sako se procesi do të ketë problematikat e veta, por ajo shprehu vendosmërinë e institucionit që drejton për ta konkretizuar këtë nismë, që pritet të lehtësojë disi parkimet në një qytet, që renditet në vend të parë në shkallë vendi sipas INSTAT për numrin e automjeteve për 1000 banorë.

M.B.