Me nisjen e vitit të ri shkollor, institucionet arsimore kanë forcuar masat dhe rregullat për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në mjediset e shkollave, me synim krijimin e një klime më të qetë dhe të përqendruar te procesi mësimor.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale bëri apel për bashkëpunim mes nxënësve, prindërve dhe mësuesve për zbatimin e këtyre rregullave dhe për krijimin e një mjedisi të sigurt e të përshtatshëm për të nxënit.

“Me fillimin e vitit të ri shkollor, forcojmë rregullat dhe marrim të gjitha masat për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkolla”, tha Kumbaro.

Ajo theksoi se zbatimi i masave kërkon angazhimin e të gjithë komunitetit shkollor, duke u bërë thirrje nxënësve, prindërve dhe mësuesve të bashkëpunojnë për ta mbajtur shkollën një hapësirë ku mësimi dhe zhvillimi i fëmijëve të jenë në qendër.

“Kufizimi i përdorimit të telefonave synon të ndihmojë në rritjen e përqendrimit të nxënësve gjatë orëve të mësimit, si dhe në forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit brenda komunitetit shkollor”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro ftoi mësuesit, nxënësit dhe prindërit të bashkëpunojnë të gjithë së bashku për ta mbajtur shkollën një hapësirë të qetë dhe të sigurt, ku mësimi të jetë në qendër, nxënësit të jenë të përqendruar dhe mësuesit të mund të përkushtohen plotësisht në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

“Pa telefona, më shumë përqendrim, komunikim dhe bashkëpunim”, tha Kumbaro.

Nxënësit duhet ta dorëzojnë telefonin sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.

Ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në shkolla synon të krijojë më shumë hapësirë për mësimin, përqendrimin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë gjatë procesit arsimor.