Në skenën e improvizuar në Amfiteatrin antik të Durrësit, në natën e dytë të “Dyrrachium International Theater Festival”, u interpretua drama “Pylli” nga trupa e teatrit “Bekim Fehmiu” e Prizrenit.
Një dramë familjare, e rrëfyer plot tension, që trajtonte një tematikë mjaft të pranishme në shoqërinë moderne.
Jeta e dyfishtë e personazhit kryesor, një kirurg mjaft i zoti, që në këtë shfaqje teatrore vinte e interpretuar nga dy aktorë, ishin filli lidhës i të gjitha stituatave dhe mizanskenave. Duke eksploruar në kufirin mes së vërtetës dhe iluzionit, kujtesës, fajit dhe identitetit, shfaqja e ftonte publikun në reflektim.
Interpretimi në atdheun amë, për më tepër në një amfiteatër mbarte emicione të forta për aktorët, të cilët, nën regjinë e Erson Zymberit sollën një shfaqje të realizuar me mjaft profesionalizëm.
“Dyrrachium International Theater Festival” rikthehet të shtunën për artdashësit, me shfaqjen e radhës në Muzeun Etnografik, në orën 20.00.
M.B.





