Në Durrës ka nisur të frekuentohet plazhi, pavarësisht punimeve që po realizohen në shëtitoren bregdetare.

Pirgjet me rërë e gurë të mëdhenj dhe mjetet e rënda në mes të plazhit janë bashkëshoqërues të pushuesve të parë.

Për pushuesit, por edhe për qytetarët e Durrësit gjendja e plazhit lë për të dëshiruar, ndërsa gurët e hedhur në breg rrezikojnë fëmijët.

“Gjendja këtë vit më duket katastrofë. Asnjëherë nuk ka qenë kështu. Djali vrau dje këmbën tek ata gurë të mëdhenj që kanë hedhur brenda në det”,- thotë një pushuese nga Kosova, që prej dy ditësh po qëndron në zonën e plazhit.

Habitem çfarë plazhi kërkojnë të bëjnë njerëzit me këtë rërën të hedhur kështu dhe punimet që po vazhdojnë. Duhet të kishin përfunduar tashmë. Shumë të vonuar janë”,- deklaron një qytetare nga Tirana, qëndron prej javësh në plazhin e Durrësit.

Një banor i zonës e ka nisur plazhin prej ditësh, por nuk është aspak i kënaqur nga ajo që i shohin sytë.

“Nuk na duhet plazh i betonuar, por rërë dhe det”,- thotë ai.

Bizneset sezonale po bëhen gati për të pritur flukset e para të pushuesve nga trevat shqipfolëse, por vonesat për përfundimin e fazës së parë të shëtitores i kanë lënë mjaft të pakënaqur.

“Sezoni ka filluar, taksat i kemi paguar, por nuk kemi asgjë në vijë. Në qytetin e Durrësit 85% e pushuesve janë qytetarë kosovarë. Shëttitorja duhet të kishte përfunduar, po ashtu edhe punimet në bizneset tona, jo të presim muajin maj”,- deklaron Naim Kapiti, biznesmen nga Kosova.  

Kryebashkiakja Emiriana Sako në një intervistë për “DurrësLajm” deklaroi se faza e parë e punimeve për shëtitoren e plazhit do të përfundojë në fillim të qershorit.

Shëtitorrja e plazhit shtrihet në një gjatësi prej 3 km dhe është investim në vlerën 285 milionë lekë, që po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

M.B.