Kreu i Lëvizjes “Ne, Shqipëria” Adriatik Lapaj ka reaguar me një deklaratë publike lidhur me një incident të ndodhur pasditen e sotme në Durrës, ku sipas tij, kandidatja për këshillin bashkiak Valbona Myhedin është kërcënuar me armë nga persona të lidhur me krimin e organizuar.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”, ku Myhedin, e cila ka edhe nënshtetësi amerikane, po zhvillonte takime me qytetarë.
“Anëtarë të krimit të organizuar kanë kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin”, shkruan Lapaj në deklaratën e tij. Ai e cilëson incidentin si një “akt burracak frikësimi”, që nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.
Lapaj i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit të ndërhyjë menjëherë, ndërsa ka paralajmëruar se rasti do t’i referohet Ambasadës Amerikane.
“Ai që i tregoi armën dy grave do të përgjigjet para ligjit”, përfundon Lapaj, duke theksuar se rrugëtimi i Lëvizjes “Ne, Shqipëria” nuk do të ndalet.