Në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, Jona Osmani, kandidate për deputete në Qarkun e Durrësit me Partinë Socialiste, ka shpërndarë një mesazh të ndjerë dhe personal për komunitetin çam, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.
“Unë jam Jona Osmani. Dhe kandidoj për deputete në Qarkun e Durrësit me skuadrën e Partisë Socialiste,” shprehet ajo në hyrje të thirrjes së saj, duke theksuar se kandidatura e saj nuk është thjesht një hap politik, por një rrugëtim me rrënjë të thella në historinë dhe identitetin e saj familjar.
“Familja ime më ka edukuar me ndjenjën e dashurisë për atdheun, por edhe të mos harroj origjinën tonë, Çamërinë,” thotë Osmani, duke theksuar se e ndjen si detyrë morale dhe historike t’i japë zë një komuniteti që për shumë vite është ndjerë i përjashtuar dhe i papërfaqësuar.
Mesazhi i saj drejtuar çamëve është i drejtpërdrejtë, i ndjeshëm dhe pa retorikë politike:
“Për të gjithë ata që kam takuar këto ditë, dhe ata që nuk kam mundur t’i takoj. Për të gjithë ju, vëllezër dhe motra të mi çamë. Vij si bijë e këtij komuniteti të lënduar. Vij për të gjithë ata që nuk janë më. Vij për të gjithë ne që nuk u përfaqësuam kurrë nga ata që i besuam ndër vite.”
Duke e cilësuar këtë thirrje si një lutje, jo një fushatë, ajo u bën apel të gjithë pjesëtarëve të komunitetit që më 11 maj të mos qëndrojnë mënjanë, por të votojnë për dinjitetin, drejtësinë dhe përfaqësimin që meritojnë.
Mesazhi përmbyllet me fjalët që e përkufizojnë më së miri misionin e saj politik:
“Unë jam Jona Osmani dhe zëri im është për ju!”
Ky apel ka marrë jehonë të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë çamë kanë shprehur mbështetjen e tyre për Jonën, duke e cilësuar si një zë të ri, të sinqertë dhe të denjë për të çuar përpara kauzën e tyre.