Nga Mila Ballhysa

Ishmi është njësia më e largët administrative e bashkisë Durrës, por investimet e realizuara në infrastrukturë e kanë kthyer atë në një destinacion të rëndësishëm, jo vetëm gjatë fundjavave. E njohur më shumë për plazhin e Gjirit të Lalzit dhe Kepin e Rodonit, vitet e fundit natyra e virgjër e kësaj zone ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve. Destinacioni i sotëm për ne është agroturizëm “Popi”, një investim i realizuar në mes të pyllit, në zonën e Shkafanes. Ndërsa udhëtojmë drejt tij, gjelbërimi që të shoqëron në të dy anët e rrugës është gjëja e parë që të tërheq vëmendjen. Larg betonit të qyteteve, rrugëtimi mes pyllit plot lisa të krijon qetësi shpirtërore dhe ndjesinë e relaksit.

Gjelbërim, ajër i pastër, natyrë e bukur, një liqen i krijuar mes lisave shtatlartë, qetësi dhe mikpritje siç dimë të ofrojmë ne shqiptarët.

Të gjitha këto të ndërthurura në një: Agroturizëm Popi.

Me buzëqeshjen e tij dhe dashurinë për natyrën dhe kafshët, Shpëtim Dama, por që të gjithë e njohin si Popi, të bën të ndihesh komod sapo shkel në fermën e tij. Jashtë është rreth 40 gradë temperatura, por ajo nuk ndjehet fare në tryezat e restorantit, që kanë të gjitha pamje nga liqeni. Ideja për agroturizmin u forcua vetëm vitet e fundit, por dashuria për tokën e të parëve të tij, e ktheu shumë shpejt Popin në këtë vend për të ngritur fermën e tij.

Ndërsa shijojmë qetësinë që prishet vetëm nga kënga e gjinkallave, syri nuk mund të mos vërë re se kur punohet me dashuri, njeriu nuk e dëmton natyrën, por përkundrazi e përmirëson atë. Përveç soditjes, kushdo që viziton agroturizëm “Popi” ka mundësi të prekë nga afër dhentë, lepujt, kuajt, mbretëreshën e liqenit, mjelmën, apo të shijojë nga dega frutat e sapo bëra, e pse jo edhe të peshkojë.

Hapësirat e bollshme e bëjnë këtë vend ideal për të gjithë grupmoshat. Secili mund të ushtrojë aty aktivitetin më të preferuar, por një atraksion më vete janë edhe specialitetet e gatimit që serviren në restorant. Sigurisht gjithçka është bio dhe shija e tavave të baltës apo mishit të kecit, qingjit, lepurit etj nuk mund të harrohet lehtë. Sinkron

Për ata që nuk mjaftohen me soditjen e liqenit nga tavolinat e lokalit, Popi ka menduar zgjidhjen perfekte. Një xhiro me varkë ku mund edhe të drekosh apo darkosh, por edhe të shohësh nga pranë natyrën e virgjër të kësaj zone.

Në mes të liqenit që dikur, shumë vite më parë, ishte moçal, Popi ka krijuar një ishull artificial që e vë në përdorim për klientët që duan momente vërtet mbresëlënëse. Të rrethuar nga uji, gjelbërimi dhe kaltërsia e qiellit, e me miqtë e pandarë, mjelmat, kushdo që shkel aty do t’i mbajë mend gjatë këto momente. 

Dashuria për tokën mbetet një nga pasionet më të mëdha të Popi Damës. Megjithëse i lindur e rritur në kryeqytet, ai është kthyer në një fermer të vërtetë, madje me shaka rrëfen se vuan nga sëmundja e “fshatit”.

Përveçse tentoi të ngrinte një biznes fitimprurës për vete, Popi u erdhi në ndihmë edhe banorëve të zonës. Disa i ka të punësuar në agroturizëm, tek disa të tjerë furnizohet me produktet organike që nuk arrin t’i prodhojë vetë në fermën e tij.

Popi e pranon se investimi ka dalë ashtu siç ai e kishte ideuar, por për ta mbajtur në këmbë këtë biznes kërkohet mund i madh dhe shumë para dhe tani ai është penduar. Si­ç rrëfen vetë, gjithçka ka qenë investim i tij, pa asnjë subvencion nga shteti. 

Duke parë vështirësitë që biznesi i tij po kalon në këtë periudhë, ai po mendon t’i ndryshojë destinacionin. Një ide që i vërtitet prej disa kohësh në kokë është ndërtimi i një azili pleqsh, por këmbëngulja e fëmijëve të tij për ta mbajtur agroturizmin e ka lënë ende në dilemë.

Agroturizëm apo jo në të ardhmen, investimi që ka realizuar në këtë zonë Popi Dama i mbetet kujtdo në mendje. Për të ikur nga zhurma e stresi i përditshëm dhe shijuar një ditë mes bukurive të fshatit dhe natyrës, por edhe për ta kthyer një event në të paharrueshëm agroturizmi “Popi” mes pyllit të Shkafanes mbetet zgjidhja e parë për shumëkënd.