Dy fëmijë të mitur, anëtarë të komunitetit rom në zonën e Shkozetit u ndanë nga jeta me pak orë diferencë, pasi u përfshinë në një aksident rrugor në orët e vona të së martës.

Danieli dhe Franci, të dy në moshë të mitur, qëndronin në koshin e improvizuar në ciklomotorin që u godit nga një automjet, i drejtuar nga një djalë i ri i moshës 23-vjeçare me iniciale Xh.M.

Dy fëmijët e mitur kishin dalë me një komshiun e tyre dhe djalin e tij në atë orë të vonë të natës për të mbledhur kanaçe.

Sokoli, që i përket komunitetit rom, kishte improvizuar një kosh para motorit, ku mbartnin plastikat dhe kanaçet që më pas i shisnin për të mbijetuar.

Një kilometër larg nga banesat e tyre, ndërsa do të ktheheshin te kryqëzimi i Gjykatës së Apelit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së shkuar, Sokoli, i cili kishte konsumuar pije alkoolike, është futur me shpejtësi në kryqëzim.

Me shpejtësi në atë krah vinte edhe automjeti i drejtuar nga 23-vjecari.

Nga përplasja e dy mjeteve motorike, koshi është goditur i pari dhe për pasojë dy të miturit kanë marrë dëmtimet më të rënda.

Shumë anëtarë të komunitetit rom në Durrës sigurojnë jetesën nga mbledhja e kanaçeve dhe plastikave dhe përmes shitjes së tyre sigurojnë të ardhura minimale për familjen. Shpesh vënë në rrezik dhe jetën.

Rreth orës 22:55, të së martës u regjistrua aksidenti tragjik që u mbyll me dy viktima.

Në spital i plagosur është Devi 10 vjeç dhe babai i tij, Sokoli.

Efektivë të policisë ishin mëngjesin e sotëm sërish në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur dinamikën e aksidentit.

M.B.