Aksion i Policisë Bashkiake të Durrësit në zonën e Shkëmbit të Kavajës për të liruar hapësirat e rezervuara për plazhe publike.

Aksioni i zhvilluar një natë më parë ka pasur për qëllim heqjen e çadrave dhe shezlongëve të vendosur në mënyrë abuzive nga persona të ndryshëm duke zaptuar këto hapësira që janë të dedikuara për të gjithë qytetarët.

Në një postim në rrjete sociale, kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, njofton se aksioni për lirimin e hapësirave të plazheve publike do të vijojë përgjatë gjithë bregdetit të Durrësit.

Njëkohësisht ajo ka dhe një apel për subjektet apo individët që zënë hapësirat e plazheve publike: I bëjmë thirrje subjekteve apo dhe individëve të mos zaptojnë hapësirat e plazheve publike pasi ato i përkasin të gjithë pushuesve.

Bashkia Durrës ka 161 parcela me plazhe publike përgjatë gjithë gjatësisë së vijës bregdetare.

Ndërkohë, në zonën e plazhit të madh nga Apolonia e deri në Plepa ka të miratuara 16 parcela me plazhe publike.