Pak ditë pas firmosjes së marrëveshjes midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me bashkitë përkatëse, ku ujësjellësat Krujë, Shijak, Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë do të jenë në një shoqëri rajonale, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta (AKUM) nisi një aksion për sistemimin dhe verifikimin e konsumatorëve të mëdhenj të ujit të pijshëm.

Aksioni nisi në zonën turistike Mali i Robit dhe Golem me mbështetjen e ujësjellësave të Kavajës dhe Durrësit. Të pranishëm në këtë aksion kanë qenë drejtori i përgjithshëm i AKUM Klevis Jahaj dhe drejtori i UKD Spartak Kovaçi.

Qëllimi i aksionit ishte që të verifikohen të gjithë konsumatorët e zonës turistike, që nga ata që konsumojnë sasi të madhe uji, siç janë hotelet dhe resortet, së bashku me vilat dhe hyrjet e pallateve. Për shkak të problematikave që lidhen me këtë zonë, siç janë niveli i ulët i faturimit dhe arkëtimit, tre grupet e përbashkëta në terren kanë kontaktuar një nga një të gjithë pronarët e hoteleve dhe resorteve për faturimin me matës në mënyrë të drejtë dhe pagesën e rregullt të faturave mujore. Aty ku nuk ka pasur matësa të ujit, janë vendosur, ndërsa aty kur nuk ka pasur kontrata me shoqërinë e ujësjellësit të Kavajës, janë lënë afatet për lidhjen e kontratës.

Ky aksion ka një rëndësi të veçantë pasi kryhet në një kohë kur zona turistike kërkon një sasi të madhe uji, por nga ana tjetër thatësira e tejzgjatur dhe mungesa e reshjeve, kanë bërë që prurjet e ujit të pakësohen. Punonjësit e strukturave që morën pjesë në aksion, i kanë ndërgjegjësuar banorët e zonës dhe pronarët e hoteleve që të bëjnë përpjekje për kursimin e ujit të pijshëm duke mos e shpërdoruar atë me larje të rrugëve apo vaditje të lulishteve.

Gjithashtu, ata janë paralajmëruar se ndërhyrje e paautorizuar në rrjetin e ujit të pijshëm përbën vepër penale dhe çdo rast që do të konstatohet do të ketë denoncime pranë prokurorisë. Pas përfundimit të këtij aksioni, grupet e përbashkëta do të zhvendosen drejt Rrogozhinës, plazhit të Spillesë si dhe plazheve që administron bashkia e Durrësit.