Policia e Durrësit ka reaguar lidhur me ngjarjen që alarmoi autoritetet paraditen e sotme në portin e Durrësit, pas konstatimit të dy çantave të dyshimta.

Policia informon se nuk ka alarm për bombë, por kanë qenë dy valixhe që i ka harruar një qytetar që udhëtoi mbrëmë nga porti i Durrësit. Ka rezultuar se në valixhe kishte veshmbathje, ushqime dhe sende të tjera personale të qytetarit.

Sqarimi i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës:

Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një alarm për bombë në portin e Durrësit, ju bëjmë me dije se:

Në Portin e Durrësit nuk ka alarm për bombë.

Mbrëmjen e djeshme, një qytetar që udhëtonte drejt Italisë, ka harruar bagazhet në Portin e Durrësit dhe ka vijuar udhëtimin drejt Italisë. Policia, sapo ka konstatuar valixhet, ka kryer të gjitha procedurat standarde të verifikimit dhe ka rezultuar se në valixhe kishte veshmbathje, ushqime dhe sende të tjera personale të qytetarit.

Edhe APD reagoi lidhur me këtë rast, ku bëri me dije se:

Në ambientet e jashtme të terminalit të pasagjerëve, mëngjesin e sotëm, janë konstatuar dy çanta të braktisura. Forca e Sigurisë Portuale Durrës, bashkë me qentë e kufirit dhe agjentët e Drejtorisë vendore të policisë, kreu me përpikmëri verifikimin e tyre. Nga verifikimi rezultoi se brenda çantave nuk ndodhej asnjë element rrezikshmërie (konkretisht brenda tyre ndodheshin mallra ushqimore).