Një udhëtim në kohë në bregdetin e Shqipërisë, jo nga toka, por nga ajri.
Një rrugëtim fotografik për të përjetësuar në arkiv ndryshimet që ai ka përjetuar ndër vite.
E kush më mirë sesa Alket Islami me aparatin e tij do mund të fokusonte nga ajri bukuritë e brigjeve shqiptare?!
Me 120 fotot e albumit të tij “Albanian coast from the air”, realizuar në vitet 2000, por edhe në ditët e sotme, ai solli gjatë promovimit të organizuar në Durrës një copëz Shqipërie nga grykëderdhja e Bunës, e deri poshtë në jug, në kufi me Greqinë.
“Kam sjellë në këtë album plane të mesme dhe plan detaje. Ky mbetet objektivi kryesor i albumeve të mia. Miqtë e mi që udhëtojnë me mua, por s’kanë mundësi të fluturojnë me motor më pyesin për disa vende, se ku ndodhen. Imagjinoni sesa i paparë është nga të gjithë bregdeti jonë”,- thotë Hyseni, ndërsa thekson se çdo foto e përfshirë në album është 100% shqiptare.
Faqe të tëra të albumit i dedikohen fotove nga bregdeti i gjirit të Durrësit.
E ndërsa shfleton faqet e albumit, nuk mund të mos ndjesh nostalgji për atë që ishte dikur kjo vijë bregdetare.
Transformimet e 30 viteve demokraci kanë lënë vulën e tyre në bregdetin shqiptar, e këtë e pranon dhe vetë Islami me keqardhje.
“Aty ku unë e shikoj që është prekur mjedisi nuk e pasqyroj. Ndërhyrjet që kanë dëmtuar janë në të gjithë plazhet masive të vendit, si dhe aty ku është elita. Etja për të ndërtuar dhe bërë investime të mëdha, për ne që e kemi njohur bregdetin e Shqipërisë në vitet ’90 është një gjë e çuditshme, por diku është bërë më mirë, diku më keq”,- thotë ai.
Albumi më i fundit fotografik i Alket Islamit vjen në dy gjuhë, shqip e anglisht dhe synon të jetë një guidë e bukur turistike, sidomos për të huajt që kërkojnë ta njohin Shqipërinë më nga afër.
M.B.