Durrësi është një portë kulturore e Mesdheut, qendër dhe magnet kulturor për Shqipërinë dhe rajonin. Burimet arkeologjike të këtij qyteti janë të rëndësishme nga ana kulturore, shkencore, ekonomike dhe sociale. Sidoqoftë, ato janë një aset i panjohur për zhvillimin turistik dhe zhvillimin shoqëror të qytetit. Një arsye kryesore për mos vlerësimin e tyre është mungesa e një Plani Menaxhimi të Integruar.

Plani i Menaxhimi të Integruar i Zonave Arkeologjike A dhe B të Qytetit të Durrësi është një projekt akt, i cili është financuar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës në kuadër të rimëkëmbjes së qytetit pas tërmetit të vitit 2019, duke ofruar një vizion të ri zhvillimi për turizmin kulturor të Durrësit. Vizioni i Planit është formuluar për të ofruar një zhvillim të qëndrueshëm jo vetëm për shtatë vitet e ardhshme (2022-2029) por dhe në perspektivën e pesëmbëdhjetë viteve në vijim.

Plani parashikon një numër masash që trajtojnë tre objektiva specifike:

·       Përmirësimi i konservimit dhe prezantimit

·       Përmirësimi i mbrojtjes

·       Përmirësim i përdorimit dhe valorizimit duke identifikuar potencialet kulturore me rëndësi për t’u rijetëzuar në   funksion të   turizmit dhe në të mirë të komunitetit lokal.

Për më mësuar më tepër mbi reagimet e grupeve të interesit gjatë këtyre 2 muajve që Plani i Menaxhimit të Integruar është hedhur për diskutim, por edhe për të marrë një përgjigje përfundimtare mbi akuzat e ngritura për dhënien me koncesion të amfiteatrit “DurrësLajm” intervistoi menaxherin e projekteve për trashëgiminë kulturore dhe turizmin në AADF z. Ilir Parangoni.

Ka rreth 2 muaj që është hedhur për diskutim publik Plani i Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike A & B të qytetit të Durrësit. Cilat kanë qenë reagimet e deritanishme, ku janë përqendruar ato?

Plani i Menaxhimit të Integruar i Zonave Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit (Plani), filloi të përgatitej nga Ministria e Kulturës me konsulencë ndërkombëtare në Tetor 2020 dhe u financua nga AADF. Në Korrik-Shtator 2022 Plani iu prezantua publikut nga Ministria e Kulturës ku u zhvillua dhe një dëgjesë publike. Duke qënë se Plani i Menaxhimit ofron një vizion të ri për zhvillimin e qytetit, duke përmirësuar mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Durrësit, është pritur mirë nga grupet e interesit. Ky plan menaxhimi vjen në një kohë kur qyteti po përballej me pasojat e tërmetit të vitit 2019 dhe shumë investime e kishin të nevojshme një plan koordinues për ndërhyrjet në zonat arkeologjike A dhe B. Në këtë këndvështrim, Plani është përqafuar jo vetëm nga institucionet publike por edhe nga ekspertët e fushës. 

A do të reflektohen sugjerimet apo ndryshimet që mund të jenë propozuar në Planin e Menaxhimit?

Gjatë periudhës së konsultimit publik ka patur sugjerime nga ekspertë të fushës së arkeologjisë, konservimit, turizmit dhe komunitetit lokal të cilat kanë synuar të përmiresojnë dokumentin. Sugjerimet e propozuara janë reflektuar nga Ministria e Kulturës., duke iu përmbajtur vizionit dhe zbatimit të parimeve për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike të qytetit. 

Në ç’fazë është projekti tani dhe cilat janë hapat e mëtejshëm që do të ndiqen deri në fillimin e zbatimit të tij?

Aktualisht Plani është në Këshillin e Ministrave dhe pritet të miratohet brenda vitit. Plani i Menaxhimit nuk është plani zbatues i PDyV5-es, por është dokument i cili jep rekomandime për mbrojtjen më të mirë të trashëgimisë arkeologjike të qytetit të Durrësit përfrshirë këtu ndërhyrjet me karakter zhvillimor apo restaurues në zonat arkeologjike A dhe B, përgjatë 7 viteve të ardhshme.

Gjatë kësaj periudhe, shumë zëra nga ana e opozitës kanë deklaruar se amfiteatri i Durrësit, po jepet me koncesion. Si i përgjigjeni ju këtyre deklaratave?

Sipas ligjit nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe akteve nënligjore të tij, Planet e Menaxhimit duhet të ofrojnë propozime për mënyrën e administrimit të trashëgimisë kulturore për të cilën përgatitet plani. Në rastin e Durrësit, sipas analizave të konsulentëve ndërkombëtarë dhe Ministrisë së Kulturës Shqiptare është sugjeruar që forma e administrimit të Qendres Muzeore Durrës të jetë ai indirekt. Në këtë rast është propozuar nga Ministria e Kulturës, pas mendimeve të marra nga dy këshillat kombëtare pranë saj, që të themelohet një fondacion i krijuar nga institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore, pra nga vetë Qendra Muzeore Durrës dhe Ministria e Kulturës.  

Kjo formë administrimi që propozohet në Planin e Menaxhimit është tërësisht e ndryshme nga koncesioni, pasi nuk udhëhiqet nga qëllime fitimi apo interesa financiarë. 

Sa godina do të prekë plani juaj i menaxhimit (përfshirë këtu shembje, restaurime etj)?

Plani i Menaxhimit nuk përfshin shembje banesash apo ndërtimesh por jep rekomandimet sesi zhvillimi urban i qytetit dhe ruajtja dhe mbrojta e pasurisë kulturore të qytetit të Durrësit të jenë në simbioze. Plani i Menaxhimit ka në fokus ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore.