Prej orës 8:30 të mëngjesit të sotëm, ka filluar lirimi i të dënuarve që kanë përfituar nga amnistia e këtij viti.

Në Durrës, dhjetë të dënuar përfitojnë lirinë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në kuadër të zbatimit të ligjit për amnistinë penale.

Lirimi i tyre ka nisur këtë mëngjes, pasi ata plotësonin kriteret e përcaktuara në ligj.

Nga përfitimi përjashtohen personat e dënuar për vepra të rënda penale dhe subjektet e procedimeve të SPAK.

Ligjit për amnistinë penale u miratua nga Kuvendi më 18 qershor dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor.

Ligji parashikon që 1,335 persona të dënuar të përfitojnë nga amnistia, mes tyre gra dhe të mitur, për vendimet e formës së prerë të dhëna deri më 31 maj të këtij viti, përfshirë edhe rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është arsyetuar ende.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, 541 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur.

Sipas dispozitave të ligjit, lirohen ose ulet dënimi për burrat e dënuar me deri në 3 vite burg dhe për gratë e dënuara me deri në 4 vite burg. Të njëjtin përfitim e kanë edhe ata që u kanë mbetur për të vuajtur jo më shumë se 3 vite burg për burrat dhe 4 vite për gratë.

Në kategorinë e përfituesve përfshihen gjithashtu burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç, si edhe personat që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të rasteve të përjashtuara shprehimisht nga ligji.

Nga amnistia nuk përfitojnë të dënuarit për vepra të rënda penale, si vrasja me dashje, krimet kundër njerëzimit, krimet seksuale, trafikimi i qenieve njerëzore, si dhe të gjitha çështjet që trajtohen nga SPAK ose që janë gjykuar nga GJKKO.