Anëtarja e Këshillit Bashkiak Durrës, Edlira Devolli ka folur për “DurrësLajm” pas rrëzimit të projektvendimit “Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026-2030”, i paraqitur nga bashkia.
Në prononcimin e saj, këshilltarja opozitare e vuri theksin tek arsyet se pse e kundërshtoi fort këtë projektvendim, që sipas saj kishte një terminologji që hapte vend për diskutim dhe kundërshti.
Devolli tha se qëllimi i këtij projektvendimi lidhet më shumë me transformimin e roleve gjinore, familjes tradicionale dhe roleve shoqërore.
“Nuk jam kundër trajtimit të të gjithë shtresave në nevojë, përfshi këtu edhe grupet që vetëidentifikohen me një orientim seksual dhe gjinor ndryshe, por kurrsesi nuk mund të hyjnë në të njëjtën paketë gratë e dhunuara dhe vajzat e trafikuara, personat me aftësi të kufizuara, që realisht kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet, si financiare, si sociale, strehuese etj në të njëjtin vend me personat që i përkasin komunitetit LGBTQI+ për faktin se vetëpërcaktohen. Ata kanë hapësirat, mund të studiojnë, mund të lexojnë. Nuk jam kundër kësaj kategorie.”,- tha ndër të tjera këshilltarja bashkiake.
“E kam ngritur shqetësimin tim edhe në komision,- tha më tej Devolli, – aq më tepër për saktësimin e termave të përdorura në projektvendim, pasi sqarojnë, siç e patë edhe në mbledhje, që transformimi gjinor do të thotë forcim ekonomik për gratë dhe vajzat”.
Por si duhet ta kuptojmë shqip-shqip terminologjinë “transformim gjinor” që përdor bashkia në projektvendim?
Ndiqni të plotë intervistën që zhvilluam me këshilltaren bashkiake Edlira Devolli.
Pas votimit, projektvendimi nuk arriti të miratohej, pasi mori 25 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.
Mosmiratimi i këtij projektvendimi u prit me duartrokitje nga këshillltarët opozitarë të pranishëm në mbledhje, ndërsa maxhoranca ndërpreu mbledhjen dhe kërkoi një pushim disa minutësh. Mbledhja rifilloi pas rreth 20 minutash dhe vijoi me miratimin e pikave të tjera të rendit të ditës.
M.B.





