Një aplikacion i ri për turistët e huaj është risia, që bashkia Durrës po përgatit për këtë sezon veror.

Aplikacioni visitdurres.al pritet të jetë gati para nisjes së sezonit turistik, kur dhe do të regjistrohen flukset e para të turistëve vendas dhe të huaj në qytetin bregdetar.

Për sezonin turistik të këtij viti, bashkia Durrës ka ndërmarrë një nismë inovatore në fushën e turizmit, krijimin dhe dizenjimin e aplikacionit visitdurres.al. Bashkë me aplikacionin do të krijohet edhe një faqe internet dedikuar vetëm për turizmin. Do të jetë në shqip dhe anglisht dhe synon të tregojë dhe do të tregojë destinacionet kryesore për t’u vizituar në qytet, hotelet, eventet kryesore kulturore, artistike apo sportive.”,- thotë për “DurrësLajm” drejtoresha e Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Në të njëjtën kohë, bashkia Durrës ka realizuar hartën e re të qytetit në gjuhën angleze, ku turistëve të huaj u përcillet informacion gjithëpërfshirës për shumë nga monumentet e trashëgimisë kulturore.

“Turisti do të ketë hartën e re, produkt i Drejtorisë së Turizmit. Kjo hartë gjendet edhe në faqen zyrtare të bashkisë. Jemi munduar që gjatë këtij viti t’i ofrojmë turistëve gjithë informacionin e duhur për qytetin tonë”,- thotë Kërtusha.

Sezoni turistik që lamë pas rezultoi më i suksesshmi i viteve të fundit. Referuar shifrave zyrtare, hyrje-daljet në portin më të madh në vend kanë qenë 14% më të larta sesa në vitin 2021, ndërsa boom vizitash ka pasur në sitet arkeologjike.

Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik janë vizituar nga më shumë se 28 mijë turistë, shifër kjo dyfish më e lartë sesa viti 2021. 

“Pas 2 viteve të pandemisë, ne kemi trend rritës në shifrat nga sezoni turistik, ndërsa është shtuar edhe kohështrirja e tij, nga maji në nëntor”,- deklaron Kërtusha.

Promovimi i resurseve turistike të qytetit mbetet prioritet i bashkisë Durrës. Një ndihmë të madhe në këtë drejtim po japin binjakëzimet e vazhdueshme që institucioni i qeverisjes vendore po lidh me qytete të tjera bregdetare në rajon dhe më gjerë.

“Prioriteti ynë si bashki shkon përtej qasjes lokale apo kombëtare. Promovimi shkon edhe në nivel rajonal dhe evropian. Bashkia Durrës e ka vënë theksin në lidhjen e marrëveshjes së binjakëzimit me bashki simotra, të cilat janë të pozicionionuara më së shumti në zonën Adriatiko – Joniane”.

Turistët që do të mbërrijnë në Durrës këtë verë nuk do të kenë mundësi të vizitojnë Muzeun Arkeologjik, i cili është në proces rikonstruksioni me fondet e BE-së. Nga ana tjetër, rijetësimi i Torrës Veneciane do ta kthejë këtë monument në qendër mjaft të rëndësishme interpretimi të trashëgimisë kulturore.

“Torra Veneciane do të kthehet në një info point apo pikë komunikimi për të gjithë turistët duke sjellë dhe shërbimin inovativ, një shërbim ekstra që futet për herë të parë në objektet e trashëgimisë kulturore. Duke aplikuar në projekte të BE-së ne synojmë që ta sjellim këtë inovacion edhe në monumente të tjera”,– thotë Kërtusha.

Zgjedhjet vendore të 14 majit të këtij viti nuk pritet të ndikojnë në mbarëvajtjen e sezonit. Investimi që po realizohet në shëtitoren e plazhit dhe që pritet të përfundojë në qershor premtojnë një sezon të suksesshëm. Vitin e kaluar, Durrësi ishte kampion i turizmit dhe duket se këtë pozicion do ta mbajë edhe këtë vit.

M.B.