Mbyllja e tregut të fruta-perimeve në qytetin e Durrësit, ishte një çështje problematike korrikun e vitit të shkuar. Ky treg u mbyll për t’u rikonstruktuar në korrik me një afat kohor për 112 ditë, por tashmë kanë kaluar më shumë se 230 ditë dhe ky treg ende nuk është përfunduar.

Kandidati i koalicionit “Shtëpia e lirisë”, Ardian Muka, ka takuar tregtarët të cilët ende tregtojnë në kushte të vështira. Nga 270 tregtarë, vetëm 50 prej tyre kanë mundur të mbajnë biznesin e tyre hapur, pasi për të tjerët ka rezultuar e pamundur.

Muka gjeti rastin t’u prezantojë idenë e tij për një mënyrë tregtimi sa modeste aq edhe europiane, e cila është implementuar në shumë vende të tjera dhe ndihmon tregtarët të arrijnë më mirë te klienti.

“Problemet i njohim. Tregu duhet të ishte bërë gati për tre muaj, por e shtynë 8 dhe 9 muaj. Unë kam jetuar dikur në Milano, si emigrant dhe aty tregu një ditë në javë, hapej në disa rrugë të ndryshme të qytetit. Ne kemi ndër mend ta bëjmë këtë gjë edhe për tregtarët e Durrësit. Duam ta thyejmë këtë monotoninë dhe që tregtarët të kenë mundësi të tregtojnë produktet në zona të ndryshme.”

Kandidati për Bashkinë Durrës, pati mundësinë të dëgjojë nga afër jo vetëm problematikat që lidhen me tregun, por gjithashtu shqetësimet e tregtarëve për gjendjen ekonomike, infrastrukturën dhe probleme të përditshme me të cilat ata hasen.