Në botën e operës, pak prodhime magjepsin si zemrat e të rinjve, ashtu edhe shpirtrat e kalitur, ashtu siç bëri “Flauti Magjik”, që u vu në skenën e teatrit të Durrësit për fëmijë e familje.

Kjo është kryevepra operistike e Mozartit, e njohur për historinë e saj të çuditshme, personazhet mistikë dhe meloditë e përjetshme.

Një prodhim që jo vetëm argëton, por edhe edukon dhe frymëzon.

“Është përzgjedhur ky titull, sepse vetë fabula e kësaj vepre është si një përrallë mes të mirës dhe të keqes, ku Mbretëresha e Natës ka një luftë të vazhdueshme me Mbretin e Diellit dhe në mes të luftës qëndron vajza e tyre që është Pamina. Është një mesazh shumë i bukur për fëmijët, të cilët duhet të kuptojnë që duhet të jesh gjithmonë i sinqertë dhe i pastër gjatë gjithë jetës tënde”, shpjegoi për “DurrësLajm” regjisorja e TKOB, Ada Gurra, ndërsa dirigjenti Dritan Lumshi shtoi se opera ishte “konceptuar komplet ndryshe, sepse kjo vjen e përshtatur për fëmijët. Kemi momente në shqip, por edhe në gjermanisht. Kemi sjellë diçka që të jetë sa më pranë publikut.”

Me breza të ndryshëm në orkestër, për artistët vënia në skenë e kësaj vepre ishte një përgjegjësi e dyfishtë: Nga njëra anë sjellja në jetë e partiturës së përjetshme të Mozartit me aftësi dhe saktësi, e nga ana tjetër përshtatja edhe me më të voglin e sallës.

“‘Flauti magjik’ është një vepër repertori, por interesante këtë radhë është se është një kast komplet i ri, të cilët një pjesë sapo kanë mbaruar Akademinë e Arteve, një pjesë vazhdojnë, një pjesë kanë disa vite që kanë mbaruar, pra janë disa breza që performojnë sot”, tha dirigjenti Lumshi gjatë fjalës së tij.

“Ka qenë një periudhë provash intensive, sepse ‘Flauti magjik’ është në gjuhën gjermane. Kështu që kemi pasur prova intensive për ta sjellë në shqip, që për fëmijët të jetë sa më i kuptueshëm dialogu mes personazheve, por edhe pjesa e muzikuar të jetë sa më e afërt me ta”, u shpreh solisti Artur Vera në rolin e Papagenos.

Ndërsa solistja italiane në rolin e Mbretëreshës së Natës, Albertina Del Bo tha se “ka qenë një eksperiencë fanatastike dhe një kënaqësi e madhe të punuarit me një grup të tillë artistësh. Jam ndjerë shumë e mikpritur dhe shumë e mbështetur. Do të kthehem me kënaqësi sërish në Shqipëri për të kënduar”.

Një realizim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqja erdhi për dy netë me rradhë për artdashësin durrsak, pasi u dha më herët në kryeqytet e ndërsa të tjera qytete të vendit pritet të vizitojë më tej.

K.Gj.