Art antik dhe kontemporan. Skulptura të antikitetit dhe ato të ditëve tona. Vepra artistike që mbajnë vulën e një artisti durrsak, por edhe tablo të piktorëve nga vendi fqinjë, Itali. Një kontrast në pamje të parë, por një sintezë artistike ku ndërthurej arti i Dyrrahut antik me atë të Durrësit të sotëm.

Ekspozita e skulptorit të talentuar durrsak Ilirjan Xhixha dhe dy miqve të tij italianë, piktorë në profesion, krijoi një kontrast të bukur në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që për të disatën herë hap dyert për artistët. Të shumtë ishin artdashësit durrsakë, por edhe drejtues të lartë të pushtetit vendor, që panë nga afër dhe admiruan punimet e Xhixhës dhe dy artistëve Massimo Romani dhe Davide Ferro. Në ekspozitë ishte edhe ish-kryebashkiaku Vangjush Dako, në një nga daljet e tij të pakta publike pas dorëzimit të postit. Dako njihet si një mik i mirë i artistit Xhixha, skulptura Redon e të cilit është vendosur në hyrje të shëtitores “Taulantia”.

Për dy piktorët italianë ishte hera e parë e tyre në Shqipëri, ndërkohë që së bashku me Xhixhën kanë marrë pjesë në ekspozita të shumta në vendin e tyre. Për “DurrësLajm” ata rrëfejnë rëndësinë që kanë evente të tilla kulturore, që shërbejnë për të afruar edhe më shumë kulturat e dy popujve miq.

Ndërsa skulptori durrsak Ilirjan Xhixha thotë se ideja për këtë ekspozitë kolektive lindi shumë thjesht dhe u materializua brenda një kohe të shkurtër. Ndër projektet e ardhshme të Xhixhës është pjesëmarrja në ekspozita kolektive dhe personale brenda dhe jashtë Italisë.

Për një muaj me radhë, ekspozita “Art antico e contemporaneo” do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Objektet e antikitetit të ekspozuara në stendat e muzeut dëshmojnë lidhjen e fortë që ekzistonte në antikitet mes Dyrrahut dhe Romës së lashtë, ndërsa në ditët tona këto lidhje mes dy vendeve fqinje forcohen edhe më shumë nga shkëmbimet kulturore mes artistëve.  

M.B.