Etapa e parë e “Giro d’Italia 2025” që starton nga Durrësi ka krijuar një atmosferë feste në shëtitoren bregdetare, aty ku dhe do të startojë xhiro promovuese e 180 çiklistëve pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Të apasionuar të shumtë pas çiklizmit dhe kësaj gare ndërkombëtare të famshme në të gjithë botën kishin udhëtuar nga larg për të qenë të pranishëm sot në Durrës dhe për t’i ndjekur nga afër etapat e saj në vendin tonë.
Për mikrofonin e “DurrësLajm” shumë prej tyre shprehen se është një emocion i veçantë që ndodhen sot këtu dhe janë goxha të kënaqur nga organizimi dhe atmosfera e krijuar.
“Kemi ardhur nga Gjermania për të ndjekur “Giro d’Italia 2025″. Jemi shumë të kënaqur nga gjithçka kemi gjetur këtu”.
“Kam ardhur nga Reggio Emilia për ta ndjekur. Është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë për të zhvilluar çiklizmin. Por njëkohësisht edhe për të promovuar turizmin.”
“Po është hera e parë që ndodhem këtu në Shqipëri. Kemi ardhur apostafat për të ndjekur etapat e kësaj gare. Njëkohësisht do bëjmë tifozllëk për çiklistët gjermanë, që marrin pjesë në këtë garë”.
“Kemi ardhur për të parë garën, por njëkohësisht po shohim për herë të parë vendin tuaj. Na pëlqen mjaft, sidomos mikpritja”.
“Nuk është hera e parë që ndjekim Giro d’Italia. Kemi ardhur me një grup miqsh nga Lugano dhe do të ndjekim disa etapa të kësaj gare në vende të ndryshme”.
Lutfi Zino dhe Skënder Pllaka janë dy nga çiklistët tanë më të njohur, kampionë të çiklizmit shumë vite më parë. Pavarësisht moshës, sot ata ndihen shumë të rinj dhe pak të keqardhur që s’mund të jenë pjesë e kësaj gare. Njëkohësisht u vjen keq, që pavarësisht se etapa e parë e kësaj gare zhvillohet në Shqipëri, mes çiklistëve pjesëmarrës mungojnë ata shqiptarë.
Nga 9 deri më 11 Maj, 3 qytete të vendit tonë, Durrësi, Tirana dhe Vlora do të mirëpresin 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota, që do të zhvillojnë etapën e parë të edicionit të 108-të të garës çiklistike “Giro d’Italia 2025”,, që do të përmbyllet në kryeqytetin italian Romë, më datë 1 qershor.
M.B.