Shëtitorja “Taulantia” në Durrës është ndezur si rrallë herë mbrëmjen e së shtunës nga zëri potent dhe performanca mbresëlënëse e këngëtares mjaft të dashur për publikun, Aurela Gaçe.

Me qindra qytetarë dhe turistë ndoqën live hitet më të mira ndër vite të këngëtares vlonjate, që gjithnjë din të elektrizojë publikun.

Zëri i Aurela Gaçes dhe vëmendja e treguar që repertori i zgjedhur të përfshinte çdo moshë apo krahinë e mbërtheu spektatorin me orë të tëra dhe ajo që spikati më së shumti ishte fakti që shumë shpejt të pranishmit u bënë pjesë e spektaklit, duke kërcyer në shesh apo duke shoqëruar në kor këngëtaren dhe grupin e saj përgjatë gjithë kohëzgjatjes së koncertit.

Këto ditë të nxehta gushti, shëtitorja bregdetare në Durrës është kthyer në një skenë të hapur për grupet artistike nga vendi dhe Italia, gjë që është mirëpritur nga artdashësit durrsakë dhe pushuesit e shumtë, që këtë vit kanë zgjedhur bregdetin tonë për të kaluar ditë që do t’u mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë.