Austriakët duket se kanë zbuluar Shqipërinë dhe Durrësin, veçanërisht gjatë këtij viti. Grupe turistësh nga Austria kanë nisur të mbërrijnë në hotelet e bregdetit durrsak, duke konfirmuar kështu se vendi ynë po kthehet në një destinacion të preferuar nga qytetarët evropianë.
Përgjatë një qëndrimi 7 ditor ata vizitojnë Durrësin, Tiranën dhe jugun e Shqipërisë dhe përshtypjet e deritanishme janë shumë të mira.
“Na ka bërë shumë përshtypje Shqipëria si një destinacion i ri turistik. Nuk ka qenë e zakonshme për austriakët të vizitojnë vendin tuaj, por mund të them se tashmë përshtypjet janë shumë të mira. Turistët kanë mbetur shumë të kënaqur nga zhvillimi i sektorit të turizmit këtu tek ju. Ata janë të interesuar të njohin kulturën, traditat, trashëgiminë kulturore, natyrën, ushqimin dhe mund të them që u kanë pëlqyer shumë”,- thotë për “DurrësLajm” përfaqësuesja e njërës prej agjencive turistike austriake që sjellin turistë në Shqipëri, Veronica Huemer.
“Kemi filluar që në fillim të prillit me grupet austriake, që kanë preferuar të kalojnë pranverën në Durrës. Në verë fillojmë me klientët historikë që vijnë në qytet si polakët, çekët, shtetasit nga Kosova etj, ndërsa në tetor presim turistët nordikë që preferojnë vjeshtën për të ardhur në Shqipëri”,- deklaron Blerim Norja, administrator i njërit prej hoteleve më të njohura në Durrës.
Kohëzgjatja e sezonit turistik në Durrës nënkupton shumë më tepër punë për strukturat hoteliere dhe njëkohësisht përmirësim të ndjeshëm të shërbimeve që ofrohen për të marrë përshtypje pozitive nga klientët dhe pse jo, për t’i rikthyer sërish në po të njëjtin vend vitin e ardhshëm.
“Shërbimi është një pjesë shumë e rëndësishme. Pavarësisht se mund të kesh një hotel shumë të bukur, të kesh një natyrë shumë të bukur, nëse nuk ke shërbimin krijon turistë të pakënaqur. Shërbimi në qytetin e Durrësit ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit dhe revieë-t e klientëve janë përmirësuar krahasuar me vitet e kaluara”,- deklaron Norja.
“Atyre u pëlqen shumë shërbimi, sidomos këtu në hotel. Sigurisht jo çdo hotel ofron të njëjtin shërbim, por një gjë tjetër që u pëlqen turistëve është se shqiptarët janë shumë miqësorë, ndihmojnë shumë. Stafi është i gatshëm të ndihmojë kurdoherë”,- thotë Huemer.
Fluksi i turistëve aktualisht është i konsiderueshëm në hotelet e Durrësit, ndërkohë që në sezonin e lartë pritet që strukturat akomoduese të ezaurojnë të gjithë kapacitetin e tyre.
“Çdo hotel në Durrës është pa diskutim i mbushur, të paktën nga mesi i qershorit deri në fund të gushtit. Pritshmëria jonë është që të rritet sezoni duke u zgjatur në netë qëndrimi, në ditë më shumë. Deri tani kemi arritur në 150 ditë, nisin në prill dhe mbarojnë në fund të tetorit”,- thotë Norja.
Një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare, Durrësin e vizituan 1.5 milionë turistë.
M.B.