Në kuadër të punës së iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria kroate e Transporteve për hapjen e një linje të re tragetesh mes Shqipërisë dhe Kroacisë, u realizua këtë javë një takim koordinues mes ekipeve teknike të Autoritetit Portual Durrës dhe Kompanisë shtetërore kroate të trageteve Jadrolinija.

Delegacioni kroat shoqërohej gjithashtu nga deputetja shqiptare e Parlamentit kroat, Ermina Lekaj Perljaska, mbështetëse e hershme e projektit, Kosulli i nderit i Shqipërisë, Bashkim Enesi dhe Gjergj Lekaj.

Dy ekipet shqyrtuan më konkretisht mundësinë dhe avantazhet krahasuese që do ofronte për pasagjerët dhe transportuesit e dy vendeve, hapja e një linje të rregullt tragetesh mes Durrësit dhe Dubrovnikut.

Pala kroate nënvizoi gjatë takimit se investimet e parashikuara nga qeveria shqiptare në infrastrukturën portuale Durrës-Porto Romano, përbëjnë një shtysë dhe interes të veçantë për linjat kroate të turizmit dhe transportit.

Dy ekipet po vijojnë punën për të finalizuar një plan biznes dhe kalendar operacional realist, me synimin për të konkretizuar linjën e re brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2022, në përputhje me procedurat tekniko-ligjore në shtetet respektive.