Bonusin e qirasë nuk e marrin prej 7 muajsh, duke u vënë në vështirësi ekonomike të tejskajshme. Banorët e dy pallateve të dëmtuara nga tërmeti në lagjen nr.5 të Durrësit deklaruan se përballen çdo ditë me kërcënimet e qiradhënësve për t’i nxjerrë nga shtëpia. Në protestën e radhës para bashkisë, ata paralajmëruan veprime ekstreme.
“7 muaj që qiradhënësit nuk marrin qiranë, na kanë kërcënuar që do na nxjerrin nga shtëpitë. Do vijmë të vëmë batanijet të gjithë si banorë, të flemë këtu, madje po pati mundësi do u marrim dhe zyrat”.
“Do marrim një dyshek të mblidhemi tek bashkia të flemë këtu, ose do ngjitemi në majë të pallatit dhe të hyjmë në grevë urie”,- thonë disa prej banorëve.
Në bashkinë Durrës janë rreth 2500 familje që prej prillit të këtij viti nuk marrin bonus qiraje. Bashkia Durrës i ka kërkuar Ministrisë së Financave fonde për subvencionimin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 me shkresën 30/4 të datës 18 korrik dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje mbi vazhdimin e lëvrimit të parave.
E ndërsa 2 pallatet e banorëve protestues janë ende të pashembur 4 vite pas tërmetit, sistemimi i tyre në godina të tjera që tashmë janë rindërtuar nuk mirëpritet nga të gjithë.
“Po të na japim shtëpi tek Këneta edhe aty do shkojmë, vetëm të na japin shtëpi”,- thotë një banore.
“Nuk jam dakort të shkoj në sitin e ri në Spitallë, sepse e kam blerë këtë shtëpi, nuk ma ka falur as bashkia dhe as qeveria, e kam blerë me paratë e mia. E dua shtëpinë time në vendin ku e kam blerë, ose të ma kompensojë”,- deklaron një tjetër banor.
Deri më tani, në bashkinë Durrës janë rindërtuar 12 godina në po të njëjtin vend, ndërsa drejt përfundimit është siti i pallateve të reja në Spitallë, ku po ndërtohen 996 apartamente për të pastrehët e tërmetit.
M.B.