Banorët e zonës së ish-Kënetës, në Bashkinë e Durrësit, për herë të parë janë bashkuar për të kërkuar zgjidhje për problemin e ndriçimit, me të cilin hasen që nga koha kur janë vendosur këtu, pasi erdhën nga qytete të ndryshme të vendit, kryesisht nga jugu. Prej ditësh në rrugicat e kësaj zone flitet për nismën që po i bën të ndihen një zë i vetëm për të kërkuar të drejtën për të jetuar në një mjedis të ndriçuar publik. Projekti “Ndriçim për ish-Kënetën” ka mundësuar që banorët të kenë informacion për të drejtat e tyre dhe se si mund ta ngrenë zërin me mjete demokratike për një të drejtë të mohuar prej më shumë se 20 vitesh. Ekspertja e Pushtetit Vendor, Arsiola Dyrmishi, thotë se në dy takime të zhvilluara me një përfaqësi e banorëve, tani ata kanë më shumë informacion për të drejtat e tyre dhe instrumentat që kanë në dispozicion për të kërkuar pranë bashkisë zgjidhje. 

“Në dy takimet e zhvilluara në kuadër të projektit qytetarët lidhur me të drejtën e tyre për informacion si dhe me të drejtën e tyre për t’i dërguar një peticion Bashkisë Durrës në këtë rast, si institucioni kompetent lidhur me zgjidhjen e kësaj çështje”, thotë ajo. 

Sipas saj, banorët treguan mjaft interes për çështjet dhe se janë më optimist se më parë rreth zgjidhjes së problemit të ndriçimit. 

“Qytetarët ishin shumë entuziast dhe patën shumë interes për të pasur këto takime lidhur me të drejtën e tyre për t’u informuar dhe për të zhvilluar një peticion dhe besoj që janë të gjitha mundësitë për të pasur një angazhim serioz nga ana e tyre, në mënyrë finalizimin me sukses të këtij projekti”, përfundon Dyrmishi.

Një  PETICION PËR VENDOSJEN E NDRIÇIMIT NË ZONËN E ISH-KËNETËS, që i drejtohet, Bashkisë Durrës, Kryetares Znj. EmirianaSako,  Drejtorisë së Shërbimeve, Drejtorit Z. Ardian Iljazaj, Këshillit Bashkiak Durrës, Kryetarit Z. Ani Dyrmishi, ka qenë hapi tjetër i këtij projekti. 

Më shumë se 100 banorë të ish-Kënetës, pa dallim gjinie dhe moshe, kanë firmosur këtë peticion, duke kërkuar për herë të parë njëzëri zgjidhje të problemit me një mjet demokratik, realizimin e të cilit e shihnin si të largët dhe të pamundur.    

“Ndriçim për ish Kënetën”, një projekt i Agjensisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, mbështetur nga Lëviz Albania.