Të mbetur pa shtëpi pas shembjes së pallatit të tyre më 26 nëntor 2019, sot 16 familjet banore të pallatit Barons më në fund mund t’u gëzohen apartamenteve të reja tek pallati Kastrati, në lagjen nr.17.

Familjarët përfitues u bënë pjesë e shorteut publik të organizuar në sallën e Këshillit Bashkiak Durrës dhe mësuan sipërfaqet dhe katet e apartamenteve të reja, çelësat e të cilave pritet t’i marrin ditën e hënë të javës së ardhshme. Për shumë prej tyre, kjo e sotmja është një ditë e lumtur, pas një pritjeje mbi 5-vjeçare.

Por, ashtu si edhe një ditë më parë, shorteu nuk kaloi pa polemika mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë.

Disa prej përfituesve, shprehën pakënaqësinë e tyre për metrat katrorë dhe katet, pasi u bënë përfitues të apartamenteve në katet e larta, pa pasur mundësi zgjedhjeje tjetër.  

Për shkak se në pallatin Barons, në lagjen nr.6, u regjistruan 2 viktima, banesa kolektive nuk mund të ndërtohej në po të njëjtin vend. Për këtë arsye, bashkia Durrës vendosi që familjet të sistemohen në pallatin Kastrati, të rindërtuar nga e para.

M.B.