Ndërsa banorët e zonës së prekur nga projekti TID Durrës protestuan para Bashkisë duke kërkuar anulimin e projektit, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se institucioni që drejton ka ndërmarrë hapa për të adresuar shqetësimet e tyre, veçanërisht në lidhje me objektet që preken dhe vlerat e shpronësimit.

Sako u shpreh se Bashkia Durrës i është drejtuar Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit me kërkesën për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, si edhe për rivlerësimin e objekteve që preken nga projekti, për të përcaktuar nëse ato mbartin vlera historike.

Sipas saj, një grup pune nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Bashkia Durrës ka kryer inspektime në terren, ndërsa një tjetër kërkesë i është drejtuar Agjencisë Kombëtare të Shpronësimit për rishikimin e vlerave të kompensimit.

“Ne e kemi diskutuar disa herë këtë projekt. Është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetin dhe ne e vlerësojmë. Nga ana tjetër, detyra jonë është të dëgjojmë shqetësimet e banorëve dhe zërin e tyre. Pas takimit që është zhvilluar mes banorëve dhe Kryeministrit, i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për ngritjen e një grupi të përbashkët pune. Një nga kërkesat tona ka qenë që objektet të rishikohen edhe një herë për të vlerësuar nëse mbartin ose jo vlera historike. Para pak javësh, një grup pune nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, së bashku me përfaqësues të Bashkisë Durrës, ka inspektuar të gjitha objektet në terren. Gjithashtu, i kemi dërguar një kërkesë Agjencisë Kombëtare të Shpronësimit, ku kërkojmë rishikimin e vlerave të shpronësimeve. Pas analizave që kemi kryer mbi tregun imobiliar, kemi konstatuar se me vlerat aktuale të përcaktuara, familjet e prekura nuk mund të blejnë një banesë tjetër.” u shpreh Sako.