Bashkia e Durrësit ka publikuar një rast të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve nga një subjekt privat, duke bërë të ditur se për të tretën herë brenda së njëjtës ditë i njëjti mjet është konstatuar duke hedhur mbetje në koshat urbanë të dedikuar për familjarët.

Sipas Kryetares së Bashkisë, Emiriana Sako, biznesi në fjalë, i cili sipas ligjit duhet të ketë kontratë me një subjekt të licencuar për evadimin e mbetjeve, ka shkelur detyrimet ligjore duke përdorur koshat publikë. 

“Për të tretën herë brenda ditës, i njëjti mjet i një biznesi, i cili sipas detyrimit ligjor duhet të ketë kontratë me një subjekt të licencuar për evadimin e mbetjeve, ka depozituar mbetjet në koshat urbanë të dedikuar për familjarët. ❌🚯

Jo vetëm kaq, por gjatë shkarkimit ka tërhequr zvarrë mbeturinat, duke i lënë të shpërndara në hapësirën publike.

Çdo ditë në qytet ka raste të tilla. Çdo pikë grumbullimi e mbetjeve monitorohet me kamera.

📢 I bëjmë thirrje të gjitha bizneseve të zbatojnë detyrimet ligjore për menaxhimin e mbetjeve, si dhe qytetarëve të respektojnë vendimin e Këshillit Bashkiak për depozitimin e mbetjeve në mënyrën dhe vendet e përcaktuara. Vetëm kështu ndërmarrjet përgjegjëse mund të sigurojnë një shërbim efikas dhe të rregullt të evadimit të mbetjeve.

Ndërmarrjet publike dhe Policia Bashkiake do të vijojnë monitorimin e të gjitha zonave të qytetit dhe do të marrin masa administrative, përfshirë vendosjen e gjobave, ndaj çdo subjekti që konstatohet në shkelje të legjislacionit në fuqi.

Qyteti është i të gjithëve. Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët!”, shkruan Sako në rrjetet sociale.