Në kuadër të 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndtit, bashkia e Durrësit organizoi sot një aktivitet, përmes të cilit bëri publike edhe disa nisma të reja që kanë të bëjnë me shëndetin publik.

Në këtë organizim morën pjesë kryebashkiakja Emiriana Sako, deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, presidentja e EMDR Albania Besarta Taci si dhe përfaqësuesi i Rotary Club Durrës Artion Beqiraj.

Në fjalën e saj hapëse, Sako u shpreh se Durrësi ka qenë ndër të parat bashki që ka ngritur shërbim për fëmijët në qendrat ditore dhe sot numërohen 5 qendra të tilla ku ofrohen shërbime për fëmijët me aftësi ndryshe dhe për familjet në nevojë në përgjithësi.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor. Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me disa aktorë të tjerë në qytetin tonë ka vendosur që në këtë ditë të lançojë disa programe të reja, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik në përgjithësi por duke pasur prioritet shëndetin e fëmijëve. Dua të thekësoj se bashkia e Durrësit ka qenë ndër të parat që ka ngritur shërbimin për fëmijët në qendrat ditore dhe aktualisht ne kemi 5 qendra të cilat operojnë në qytetin e Durrësit, brenda bashkisë dhe njësisë administrative ku kemi mundësin të japim shërbim për fëmijët në nevojë, për familjet me fëmijët në spektrin e autizmit, me sindromën down por edhe në përgjithësi, të gjithë familjeve të grave të cilat janë të divorcuar, etj. Në këto qendra aktualisht marrin shërbim mbi 600 fëmijë dhe për të çuar përpara këto nisma, kemi marrë përsipër pikërisht sot të lançojmë edhe nisma të tjera të rëndësishme, të cilat i kemi të angazhuara me shoqata dhe donatorë ndërkombëtar.”, tha ndër të tjera Sako.

Për të shtuar akoma më shumë shërbimet në 5 qendrat ditore, bashkia e Durrësit do të ndërmarrë këto nisma:

-Bashkia e Durrësit, Rotary Club Durrës, Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve, Universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për nismën “Fëmijë të Shëndetshëm” në sajë të së cilës fëmijët e shkollave, deri në moshën 12 vjeç, do të pajisen me kartelë të posaçme ku do të jenë të regjistruara të gjitha vizitat që do ti kryhen atyre nga mjeku fizioterapist me pëlqimin dhe shoqërimin e prindit të fëmijës dhe mësuesve.

-Trajnimet e psikologëve të shkollave pas pyetësorit të zhvilluar i cili kishte në fokus analizën e nevojave formative për psikologët shkollorë.

-Do të zgjerojë ambientet në Qendrën e shërbimeve me bazë komunitare për fëmijë me aftësi ndryshe duke rritur shërbimet e kësaj qendre dhe duke shtuar edhe numrin e fëmijëve që duan të marrin shërbim pranë saj.

-Do të shtojnë shërbimin psikosocial me psikologë edhe në kopshte për ti ardhur sa më shumë në ndihmë fëmijëve. Kemi prioritet dhe punojmë vazhdimisht për shtimin e kujdesit ndaj shëndetit të fëmijëve me qëllim përmrësimin e cilësisë së jetës së tyre.