NGA BUJAR QESJA

22 maji i vitit 2025, vjen si një ditë e shënuar. A nuk është e tillë, dita e lindjes së yllit të kirurgjisë, doktorit të zemrave të popullit Miri Hoti? Absolutisht që po. 22 maj 1942, dita kur u lind. 22 maj 2025, dita ku mbështen si themel i fortë 83 vitet e deritanishme të jetës.

Ditëlindjen time mbase mund ta harroj një ditë, por tënden kurrë dhe asnjëherë nuk do të ndodhë që memoria të ma fshehë. Burrë më fisnikë, mjek më human, masovik në shpirt, dashamirës për një popull të tërë, nuk kam hasur dhe zor se mund të hasë edhe më tutje.

Është detyrim për mua, si njeri i regjur i letrave, por ma do mëndja për cilindo, të të uroj këtë ditë të madhe të lindjes. Kemi qenë me fat, që populli ka marrë shërbimet e tua. Nuk dua të ulë kërkënd dhe as të vendosë shenjën e konkurencës, të rivalitetit. Por kirurg të një formati të jashtëzakonshëm Durrësi, as nuk ka parë dhe jam i sigurtë që ska për të parë. Je prerje e veçantë, në cilësitë më të spikatura njerëzore.

E pranoj sfidën, ndonëse nuk e fitoj, që këto rradhë të mia për ditëlindjen tënde, të mund të tentojnë sadopak t’i ofrohen staturës mahnitëse, të përmasave dhe dimensioneve shumë të veçanta, që ke krijuar në ushtrimin e detyrës së mjekut dhe të kirurgut.

Ke shpëtuar shumë jetë doktor Miri. I je gjendur pranë të njohurve dhe të panjohurve dhe i ke dhënë shpirt, nga shpirti yt i pastër dhe i gjërë. I ke dhënë frymë shpëtuese, nga fryma jote dhe i ke ngritur në këmbë të sëmurët, duke i dhënë shpresë për të gëzuar shëndetin aq shumë të dëshiruar.

Operacione pa fund. Rreziqe të pafund për jetë njerëzore. Lodhje të pafund, për ecurinë e të gjallëve të dërrmuar nga sëmundjet. Optimizëm pa fund ke dhënë nga zemra jote, që ka punuar me uratën e njerëzve. Shumë babaxhan. Shumë popullor. Mirë që operoje me siguri, por edhe nuk lodheshe së pyeturi, se si po shkon gjendja e pacientit.

Energji të jashtëzakonshme ke konsumuar, doktori i mrekullive Miri Hoti. Nuk je ankuar dhe aq më pak të kërkosh të lëvdata.

Ke ndërtuar raporte shumë njerëzore me këdo dhe gjithherësh, nuk ia ke nxjerrë në pah meritat vetes. Nga këtu dalin të tjera cilësitë tuajat: thjeshtësia dhe modestia. Dhe kur drejtoje Bashkinë e Durrësit, bisturinë nuk e ndave nga duart dhe nga zemra. Ke ndihmuar shumë Miri Hoti. E dinë ato njerëz, se çfarë gëzimi u ke dhënë, kur ia ke shpëtuar të afërmit nga rreziku i largimit nga jeta. Dhe nuk kërkove shpërblim. Nuk rrahe gjoksin, për t’u mburrur për aftësitë dhe meritat e tua.

Kjo të lartëson, të bën madhështor dhe të vendos në majën e krenarisë tonë. Ka një përkim interesant me bashkshorten tënde. Emri i saj është Jeta. Dhe po ti bashkosh dy emrat tuaj formulohen Mirjeta dhe Jetmiri. Sido që ta kthesh, janë emra humanë dhe emra që sjellin fat, mirësi dhe dashuri për jetën.

Vitet kalojnë dhe natyrisht fiziku yt, po bëhet më i brishtë. Bastuni yt më duket si leva e Arkimedit, ku mbështetesh për të bërë hapat e planifikuara të ditës, nën kujdesin prekës të Jetës tënde, gjithnjë e buzëqeshur dhe optimiste. Por jam i sigurtë Miri Hoti, që edhe po ta heqësh bastunin nga dora, nuk do të biesh, nuk do të përplasesh në tokë, nuk do të mundohesh.

Fiziku yt i dashur Miri Hoti, do të qendrojë i parrëzuar nga bekimi i popullit. Ky është bastuni më i sigurtë, ku do të qendrojë edhe për shumë vite e vite, fiziku yt i brejtur disi nga pesha e kohës.

Jam i sigurtë që çdo durrsak të pret në konakun e tij, ashtu sikundër unë, mbase nga më të parët të pres në konakun tim. Hajde doktori i durrsakëve dhe jo vetëm! Hajde kirurgu ynë i florinjtë!

Ne të presim dhe të gjithë do të urojmë:

Jetë të gjatë doktori ynë, doktori i zemrave tona, doktori historik Miri Hoti!