Me shishe birre dhe krrikëlla pa fund, këngë dhe ovacione. Kështu po e kalojnë kohën tifozët e Feyenoord-it pasditen e sotme në Durrës.

Të shumtë në numër, ata kanë pushtuar lokalet në shëtitoren “Taulantia” ku ia kanë “shtruar” me birra.

Siç shihet qartë nga video e mëposhtme, ata po ia kalojnë shumë bukur në shoqërinë e njeri-tjetrit, ndërsa nuk mungojnë dhe banjot e diellit e larjet në det.

Dy ditët e fundit, në Durrës kanë mbërritur shumë tifozë të Romës dhe Feyenoord-it të cilët janë akomoduar në hotelet e qytetit bregdetar.

Drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Neritan Nallbati, deklaroi mëngjesin e sotëm se në qytetin bregdetar pritet të mbërrijnë deri sot në darkë 700 tifozë të dy ekipeve evropiane.

Ata do të shoqërohen ditën e nesërme drejt kryeqytetit nga forcat e policisë.

Finalja e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj pritet të sjellë rreth 90 mijë tifozë nga Italia dhe Holanda.