Komunikimet në Gaza u rivendosën pjesërisht të dielën në mëngjes, sipas dy ofruesve të shërbimeve dhe një grupi monitorues.

Palestine Telecommunications (Paltel) njoftoi në një postim në faqen e saj në Facebook se linjat fikse, celulare dhe lidhja e internetit po riktheheshin gradualisht pasi u ndërprenë rëndë të premten në mbrëmje.

“Pavarësisht nga serioziteti i situatës në terren, ekipet tona teknike ishin dhe po bëjnë ende gjithçka në fuqinë e tyre për të riparuar sa më shumë dëme në rrjet, sa më shumë që të jetë e mundur dhe brenda mundësive të disponueshme”, tha Paltel në deklaratën e saj të dielën.

Kompania e Telekomunikacionit Jawwal gjithashtu njoftoi të dielën se shërbimet e saj të telekomunikacionit “po riktheheshin gradualisht”. Në një përditësim të veçantë të postuar në X (ish-Twitter), organizata e monitorimit të internetit NetBlocks tha se trafiku i internetit po rikthehej në Gaza.

Ndërprerja pothuajse totale e komunikimit ndikoi në punën e stafit mjekësor në Gaza, ndërsa mjekët ishin të paaftë për të arritur të lënduarit dhe spitalet të paaftë për të kontaktuar njëri-tjetrin.

Dr. Mohamad Al-Rayan, një mjek në Spitalin e Martirëve Al Aqsa në Gazën qendrore, tha se mjekët janë përballur me vonesa në marrjen e njerëzve të lënduar nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës. “Mjekët e ndihmës mjekësore nuk mundën të arrinin (të lënduarit), sepse nuk kishin komunikim me ta. Problemi kishte disa zgjidhje, por situata ishte shumë e vështirë dhe e rrezikshme. Të lënduarit mbërritën në spital shumë orë më vonë, (pasi) nuk mundëm t’i arrinim në mënyrë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë”, tha ai.