Sulmuesi i Teutës, Muço Boçi, analizon situatën aktuale të skuadrës në një moment delikat të kampionatit, duke u ndalur te humbja e fundit, presioni i renditjes dhe përballja vendimtare që e pret ekipin.
Si e përjetuat humbjen ndaj Bylis?
Ishte një humbje që na dhemb shumë, sepse ishte një ndeshje ku mund të merrnim pikë të rëndësishme. Nuk arritëm të bëjmë lojën tonë dhe gabimet na kushtuan. Duhet ta harrojmë sa më shpejt dhe të fokusohemi te ndeshjet e radhës.
Çfarë nuk funksionoi në atë takim?
Mendoj se na mungoi përqendrimi në momentet kyçe dhe nuk ishim të saktë para portës. Në këto nivele, çdo gabim ndëshkohet dhe kjo ndodhi me ne. Duhet të përmirësohemi si skuadër.
Tashmë diferencat janë ngushtuar dhe rreziku është më i madh. Si po e përjeton ekipi këtë situatë?
Është një moment i vështirë, ose me saktë i sikletshëm. E dimë që skuadrat janë afruar, por kjo na motivon të japim më shumë. Çdo ndeshje është si finale dhe duhet të luftojmë për çdo pikë.
Sa besim keni që Teuta do ta kalojë këtë periudhë?
Kam shumë besim te grupi. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe cilësi. Kemi kaluar edhe momente të vështira më parë dhe kemi ditur të reagojmë. Besoj që do të ndodhë e njëjta gjë edhe tani.
Përballja ndaj Tiranës në Durrës shihet si vendimtare. Si e vlerësoni këtë duel?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Tirana është ekip i fortë, por ne luajmë në shtëpi dhe duhet të japim maksimumin. Objektivi është i qartë. Të marrim tre pikët. Tifozët dua t’i falënderoj për mbështetjen që na japin gjithmonë. Edhe në momentet e vështira kanë qenë pranë nesh. U premtojmë që do luftojmë deri në fund për të mbrojtur fanellën e Teutës.





