*Shfrytëzim për lypje, braktisje, pakujdesi totale dhe kushte anormale janë ndër elementet kryesore që portretizojnë stilin e jetesës që Denada Sula kishte me 4 vogëlushët e saj të moshave nga 2-muajsh deri në 4 vjeç…

Denada Sula është një nënë e re 22-vjeçare me katër fëmijë të mitur, dy prej të cilëve i ka shfrytëzuar vazhdimisht në rrugë duke lypur, të konstatuar në një rast edhe në kushte çnjerëzore; ndërsa fëmijën më të vogël, vetëm dy muajshe e braktisi pranë një koshi mbeturinash në Golem më herët gjatë muajit maj.

Më 8 maj 2023, policia e Durrësit njoftonte se ishte vënë në kërkim për të bërë të mundur arrestimin e 22-vjeçares, pasi kishte braktisur foshnjën e saj pranë koshit të mbeturinave në afërsi të rotondos në hyrje të Golemit. Foshnja kishte qëndruar për disa orë aty derisa u gjet nga një qytetar i rastësishëm (lexo këtu).

Pas publikimit të këtij rasti, doli në pah se po kjo nënë ishte e njëjta e cila kishte braktisur dhe një fëmijë 3 vjeç, i cili u mor nën kujdesin e shërbimit social, dhe po ashtu nënë e dy fëmijëve të tjerë të mitur që i kishte nxjerrë disa muaj më parë të zhveshur para gjykatës së rrethit në Durrës duke lypur në mes të shiut në kushte anormale.

DurrësLajm” publikoi më 11 tetor 2022 rastin e rëndë (lexo këtu), ku dy fëmijët shfaqeshin totalisht të zhveshur, në rrugë kryesore duke lypur, dhe madje e gjithë skena ndodhte pranë një furgoni policie e askush nuk vepronte për të ndalur abuzimin e fëmijëve!

Por çfarë po ndodh sot konkretisht me këta fëmijë dhe si qëndron historia e Denadës, që shfrytëzonte të vegjlit e saj për të lypur dhe dy të tjerë i braktisi, ndërsa sot aktualisht ajo vetë qëndron pas hekurave nën akuzën për “Braktisje të fëmijës“?

DurrësLajm” u interesua për rastin e fëmijëve pranë Sektorit të Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale (Drejtoria e Shërbimit Social Durrës), nga ku u bë e ditur zyrtarisht se të katër fëmijët ndodhen në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës.

Si lindi dhe u braktis Aishe Sula 2-muajshe

E mitura ka lindur më datë 08.03.2023 pranë Shërbimit të Maternitetit Durrës, është motra e vogël e të miturit Emanuel Sula, ku ky i fundit i braktisur po ashtu nga e ëma e tij Denada, është marrë në mbrojtje të menjëhershme nga Shërbimi Social/ Bashkia Durrës, dhe u dërgua fillimisht në Qendrën e Emergjencave e më pas u akomodua te Shtëpia e Foshnjës.

Burime nga spitali i Durrësit, na komunikuan se foshnja ka qëndruar për rreth 40 ditë në ambientet e Shërbimit të Maternitetit për të përmirësuar parametrat shëndetësorë pasi ka lindur prematurë, dhe nëna e saj Denada Sula e ka nxjerrë nga spitali pa lënë asnjë kontakt me stafin ose të afërmit. Duke ditur sjelljen problematike të kësaj nëne janë vënë në dijeni strukturat e policisë që të njoftonin Shërbimin Social nëse do të arrinin të identifikonin nënën dhe foshnjën, pasi duhet të ishin nën monitorim të vazhdueshëm. Deri në momentin kur nëna e papëgjegjshme vendos ta braktisë pranë mbeturinave, dhe më pas policia ta arrestojë.

Si u vendos akomodimi i 4 fëmijëve pranë Shtëpisë së Foshnjës

Denada rezulton se më herët ka jetuar në Tiranë dhe më pas është shpërngulur në Durrës. E reja ka vetëm nënën e saj e cila punon dhe jeton në kryeqytet, por gjyshja e ka të pamundur t’i mbajë dhe të kujdeset për katër fëmijët e vajzës për shkak të kushteve dhe vështirësisë që i duhet të përballet me rritjen e tyre.

Duke shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe kushtet në të cilat ndodhen këta fëmijë, u mor vendimi që ata të akomodohen pranë Shtëpisë së Foshnjës në Shkozet. Vendimi është marrë nga Grupi Teknik Ndërsektorial, i cili u mblodh pranë ambienteve te Drejtorisë së Shërbimit Social, Bashkia Durrës, për të diskutuar rastin e fëmijëve të Denada Sulës dhe për të hartuar planin individual për to. Në takim ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve dhe organizatave lokale të cilët punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, të tilla si: Shoqata “Gender, Paqe dhe Siguri”, Qendra Komunitare Multifunksionale Rrashbull, NJVKSH, Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla, ZVA Durres, WVI, Qendra Vatra, Spitali Rajonal Durrës.

Raste të tjera të fëmijëve me problematika të ndryshme në vitet 2021 dhe 2022

Në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore si edhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje, sensibilizime etj, mësohet se për vitin 2022 për qytetin e Durrësit ka pasur 17 takime në total të Grupit Teknik Ndërsektorial, me përfaqësues të institucioneve kryesore lokale, në kuadër të bashkëpunimit dhe menaxhimit të rasteve. Janë menaxhuar në total 114 raste të fëmijëve me problematika të ndryshme si varfëria, dhuna, fëmijë në situatë rruge, konflikt me ligjin, regjistrim në gjendje civile, mbështetje sociale, ndihmë ligjore etj.

Ndërsa për vitin 2021, numri i rasteve ka qenë më i lartë, konkretisht ka pasur 15 takime në total të GTN-së, ku janë menaxhuar 139 raste të fëmijëve me probleme.

Të gjitha rastet kanë marrë shërbime dhe ndihmë në varësi të problematikës dhe nevojave të rastit.

Viti 2022

  • *Trafikim të miturish (VMT): 3 raste (të tre dosjet janë mbyllur)
  • *Fëmijë në situatë rruge (Lypësi) dhe Mbledhje materiale të riciklueshme: 7 raste

Viti 2021

  • *Trafikim të miturish (VMT): 8 raste
  • *Fëmijë në situatë rruge ( Lypësi) dhe Mbledhje materiale të riciklueshme: 10 raste

S.L. / DurrësLajm