Dita e Gazmend Mollës nis duke mbledhur hekurishte dhe materiale të riciklueshme me karrocën e tij, për t’i shitur në pikat e skrapit në Nishtulla dhe përfundon njësoj çdo mbrëmje… Çdo ditë e njëjta luftë për mbijetesë!

Ai jeton me familjen e tij prej 9 anëtarësh në këtë kasolle të improvizuar si banesë, me një dhomë të vetme, ku kushtet janë ekstremisht të mjerueshme.

Foto: Banesa e familjes së Gazmend Mollës në Nishtulla

Është vetëm 51 vjeç, por mbi supe mbart vite e vite të vështira me plot halle dhe mjerim. Gazmendi ka tetë fëmijë dhe 5 nipër e mbesa, e fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk është shkolluar për shkak të kushteve socio-ekonomike dhe diskriminimit.

I pyetur nga “DurrësLajm”, se përse nuk i ka dërguar për të ndjekur minimalisht arsimin fillor dhe të mësojnë shkrim e këndim, ai thotë se nuk ka pasur asnjë mundësi financiare dhe veshje për t’i çuar në shkollë.

“Ku t’i çoj, pa rroba, pa lekë, pa asgjë… t’i dërgosh në shkollë duhen rroba, duhen libra, unë gjithë jetën nuk i kam pasur këto mundësi”, tregon ai.

DurrësLajm” ishte pranë familjes Molla për të dëshmuar nga afër bashkëjetesën e një prej familjeve të komunitetit Rom, këtyre grupeve të margjinalizuara që duket se janë gjithnjë në harresë dhe të braktisur nga pjesa tjetër e popullsisë.

Drama në kushtet e mbijetesës forcohet kur sheh në hyrje të kasolles dhe një vogëlush me djegie në fytyrë. Ai është nipi 4-vjecar i Gazmendit, i cili është djegur aksidentalisht në zjarrin që ata ndezin në oborr për t’u ngrohur. Paçka se fytyrën e tij të pafajshme e ka mbuluar një njollë djegieje, në sytë e tij shihje dritën dhe vezullimin e çdo bashkëmoshatari.

Foto: Nipi 4-vjeçar me djegie në fytyrë dhe prindërit e tij

“Ishte duke u ngrohur në zjarrin që ndezim çdo ditë në dimër për ngrohje. E kemi dërguar në spital dhe na ka dhënë një ilaç për ta lyer”, tregon nusja e djalit me lot në sy, teksa ushqen me gji dhe fëmijën e saj më të vogël, vetëm 2-muajsh.

Anëtarët e familjes Molla përmes “DurrësLajm” shprehin të gjithë njëzëri të njëjtin apel:

“Kushdo që ka mundësi të vërë dorën në zemër dhe shpresojmë të na ndihmojnë. Edhe shteti të na japë ndihmë ekonomike”.

Ata shprehen se nuk marrin asnjë ndihmë monetare nga institucionet shtetërore, por të vetmet të ardhura të tyre janë nga puna e Gazmendit dhe bashkëshortes së tij që punon pastruese, si dhe ndihmave sporadike që mund t’u japin qytetarët.

Ashtu si familja Molla, në Nishtulla jetojnë dhe dhjetëra familje të tjera të komunitetit Rom të Durrësit. Për sa i përket kushteve socio-ekonomike, në qytetin e Durrësit, rreth 69.9% e familjeve rome dhe 79.2% e familjeve egjiptiane bëjnë pjesë në grupin “shumë të varfër”. Burimet kryesore të të ardhurave për të dy komunitetet janë punët e rastit, si dhe grumbullimi i materialeve të rickliueshme, shitja e rrobave të përdorura dhe lypja në një masë më të madhe.

Edhe pse prej shumë vitesh ekziston një bashkëjetesë harmonike e këtij komuniteti me mazhorancën e popullsisë, margjinalizimi mbetet ende një problem shqetësues në ditët e sotme. Ndryshe nga romët, egjiptianët paraqesin relativisht shkallë më të lartë integrimi socio-ekonomik në shoqëri. E megjithatë të dy grupet përballen në mënyrë të vazhdueshme me qëndrime dhe praktika stigmatizuese duke krijuar kështu një hendek të thellë pabarazie me popullsinë shumicë.

Niveli i ulët arsimor (në Bashkinë Durrës vlerësohet mesatarisht 2.7 vite shkollim për romët) dhe punësimi kryesisht në sektorët informalë janë faktorë që reflektojnë në një farë mënyre jo vetëm gjendjen e ulët socio-ekonomike, por edhe qasjen pasive që ky komunitet ka në përgjithësi ndaj shërbimeve sociale dhe shëndetësore.

Në Nishtulla funksionon që prej vitit 2013 Qendra Komunitare Multifunksionale, e cila i ka hapur dyert e saj pikërisht për grupet në nevojë.

Por a kanë njohuri këta banorë për të gjitha shërbimet që mund të marrin nga qendrat komunitare multifunksionale, që janë hapur enkas për të përmirësuar aksesin e tyre në shërbimet sociale dhe a paraqiten aty për të marrë shërbimet e ofruara.

Gazmendi tregon që nga kjo qendër ka përfituar kryesisht shërbime në aspektin shëndetësor.

Foto: Qendra Komunitare Multifunksionale Nishtulla

Çfarë ofron qendra komunitare multifunksionale në Durrës për komunitetin Rom dhe Egjiptian

Kjo qendër ka si qëllim të përmirësojë aksesin e komunitetit Rom dhe Egjiptian në shërbimet sociale nëpërmjet regjistrimit civil, policimit në komunitet, përfshirjes në kurse profesionale si dhe vendosjes dhe forcimit të rrjeteve të mediatorëve Romë në fushën e shëndetit, arsimit, mbrojtjes së fëmijëve. Ajo synon të përmirësojë cilësinë e jetës të grupeve në nevojë, nëpërmjet fuqizimit të komunitetit në tërësi dhe integrimit të tij në jetën e qytetit, duke ofruar shërbime të ndryshme si dhe duke krijuar mundësinë për më shumë ndërveprim mes banorëve dhe institucioneve.

Shërbimet që ofron kjo qendër:

  • -Shërbimin shëndetësor përfshirë (shërbimin pediatrik dhe konsultorin e fëmijës, injeksione dhe shërbimet patologjike të përgjithshme);
  • -Shërbimin psikosocial (fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar);
  • -Shërbimet me bazë zhvillimin dhe integrimin e komunitetit të marxhinalizuar përfshirë, informim, ndërmjetësim dhe advokasi për formime të ndryshme profesionale;
  • -Fuqizimi i të rinjve dhe pjesëmarja e tyre në proceset politike dhe vendimmarrëse;
  • -Forcimi i bashkëpunimit me institucionet lokale/vendore dhe OJF të ndryshme midis institucioneve dhe komunitetit;
  • -Ofrimi i mundësive për aktivitete argëtuese;
  • -Ndëmarja e fushatave sensibilizuese dhe ndërgjegjesuese të ndryshme mbi të drejtat e njeriut dhe mobilizimin e komunitetit;

Përfituesit:

•    Të rinjtë që kanë nevojë për t’u integruar dhe që kanë dëshirë për të qenë aktiv dhe për të sjellë ndryshimë pozitive në komunitetin e tyre.
•    Fëmijët me probleme të ndryshme sociale dhe shëndetësore;
•    Nënat e reja dhe gratë në përgjithësi që kanë nevojë për shërbime shëndetësore dhe suport psiko-social.
•    Komuniteti Rom dhe Egjiptian i zonës së Nishtullës në tërësi.

Sa romë dhe egjiptianë jetojnë në Durrës

Sipas Planit të Zhvillimit të Komunitetit Rom dhe Egjiptian në Bashkinë e Durrësit (shifrat e fundit të përditësuara për periudhën 2017-2020) në 6 Njësi Administrative (Durrës, Sukth, Ishëm, Katund i Ri, Rrashbull dhe Manëz), 2834 banorë i përkasin komunitetit Rom dhe Egjiptian. Në këtë bashki, komuniteti Rom numëron rreth 1.423 banorë (59% femra dhe 41% meshkuj) dhe rreth 1400 banorë të komunitetit Egjiptian (43% femra dhe 57% meshkuj), të cilët së bashku përfaqësojnë rreth 1.6% të popullsisë totale në këtë bashki.

Ndërkohë, nëse i referohemi shpërndarjes së popullsisë rome në shkallë vendi, rezulton se në Bashkinë Durrës jetojnë rreth 4.6% e totalit të përgjithshëm të romëve. Edhe pse kategorizohen në një grup të vetëm, romët janë të ndarë në 5 nëngrupe apo subkultura (Erli; Meckar; Çergarët; Kallbuxhi; Bamill) që dallojnë nga njëri-tjetri nga trajektoret e lëvizjeve, dialekti, koha e mbërritjes në Shqipëri, profesionet socio-ekonomike, dialektet linguistike, stili i jetesës, dhe zakonet.

Në Bashkinë Durrës dominojnë kryesisht pjesëtarë të fisit Meçkar, i cili për nga madhësia renditet si nëngrupi i dytë më i madh në raport me popullatën e përgjithshme rome. Komuniteti Rom në Durrës është i përqëndruar më së shumti në zonën e Nishtullës, ku banojnë rreth 127 familje rome, të vendosura aty prej më shumë se 60 vitesh. Një pjesë e rëndësishme e vendbanimeve rome është e përqendruar gjithashtu në zonat: Kullë, Xhafzotaj, Rrashbull dhe Fllakë. Ndërkohë, rreth 320 familje egjiptiane janë të përqëndruara kryesisht në njësitë administrative 2 dhe 4, zonë e njohur ndryshe si Çezma e Ferrës, ish-Fidanishtja dhe Spitallë, si dhe në Njësinë Administrative Nr.3; në zonën e Kënetës, Kullës dhe Nishtullës.

S.L.